...
Përafrimi i legjislacionit me Bashkimin Evropian ka detyruar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të rishikojë ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Projektligji i ri parashikon rritjen, në mënyrë të ndjeshme, vlerën limit që kompanitë duhet të paguajnë për ngjarje sigurimi, përfshirë edhe personat e dëmtuar, efektet e të cilit do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit në BE.
“Sipas projektligjit të ri kjo shumë do të rritet në 6.45 milionë euro për çdo ngjarje sigurimi. Aktualisht ekzistojnë disa nivele në varësi të llojit të mjetit. Për shembull për mjetet që transportojnë materiale të rrezikshme është 200 milionë, për autobusët dhe kamionë 150 milionë lekë.
Po për shumicën e mjeteve të tjera kur përfshihen dhe autoveturat për përdorim personal jemi në nivelin 55 milionë lekë. Pra me ligjin e ri do të kemi një rritje me më shumë se 10 herë”, tha eksperti Ersuin Shehu.
Sipas ekspertit Shehu, nga ndryshimet në ligj pritet të preken edhe drejtuesit e mjeteve për sa i përket çmimit të siguracionit.
“Ndryshimi, po themi më i rëndësishëm do të jetë ai që ë kostoja, çmimi i sigurimit të detyrueshëm të mjetit do të jetë më i lartë nga sa është sot, por sigurisht është e vështirë të flitet për vlerat të sakta”, tha ai.
Drafti përcakton gjithashtu se shoqëritë e sigurimit mund të përdorin sisteme elektronike për lidhjen e kontratave me konsumatorët, që do të konsiderohen njësoj të vlefshme si ato me shkrim.