... Nami.al

Kush është “Titi” që u plagos në Greqi!

Një incident i rëndë me armë është regjistruar mëngjesin e së shtunës në zonën e Mikrolimanos në Pire, ku një shqiptar i njohur me nofkën “Titi” është përfshirë në shkëmbim zjarri me policinë greke.

Sipas mediave greke, Alesio Xhelo, kishte një të kaluar të rëndë kriminale dhe ishte në shënjestër të autoriteteve për vrasje, grabitje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Ngjarja ndodhi jashtë një dyqani në Mikrolimano, kur efektivët e Policisë së Zhvatjes tentuan ta kontrollonin. Sapo vuri re policët, ai nxori armën dhe tentoi të qëllonte ndaj tyre, ndërsa një prej efektivëve reagoi i pari duke përdorur armën e shërbimit.

Pas shkëmbimit të zjarrit, i dyshuari mbeti i plagosur dhe u transportua në spital nën masa të rrepta sigurie.

Gjatë kontrollit, policia i gjeti dy pistoleta, një revolver të kalibrit .32 me karikator, si dhe një çantë ku ndodheshin gjashtë granata dore.

Sipas raportimeve, “Titi” ishte akuzuar më herët si anëtar kryesor i një organizate kriminale dhe ishte një nga personat që në qershor të vitit 2019 u arratisën nga qendra e transferimit të të burgosurve në Petrou Ralli, duke marrë peng oficerë policie.

Foto të fundit të Alesio Xhelo të publikuara ne rrjetin e tij social Tik – Tok.

Dyshohet se pavarësisht akuzave të rënda, drejtësia shqiptare e kishte lënë të lirë atë pasi në Tik – Tok në 24 tetor 2025 ka publikuar një video, duke dalë nga një Komisariat shqiptar policie e duke u përqafuar me familjarë, ndërsa me pas shfaqet në mjedise të ndryshme në qytetin e Sarandës.

Dyshohet se në muajt e parë të këtij viti para se të kalonte ilegalisht kufirin për Greqi, pasi aty ishte person i shumëkërkuar, Alesio Xhelo qarkullonte në qytetin e Sarandë ku edhe strehohej.

Nuk dihet se si Xhelo ka përfunduar në Greqi, pasi të paktën deri vitin e kaluar ai ndodhej në “Arrest shtëpie” në Fier me mbikëqyrje 24 orë nga FNSH, nën akuzat “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë.

Madje në 30 mars 2025, ai ishte arrestuar pasi kishte kanosur duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë , Njësia Fier, i cili ishte në shërbim, në mbikëqyrje të këtij shtetasi.

Xhelo ishte izoluar në banesën e tij në Fier pasi ishte person i shpallur në kërkim në Greqi për akuzat e mësipërme.

Ai ishte arratisur nga burgu i Petro Ralli në Greqi në qershor 2019 bashke më dy të burgosur të tjerë, duke arritur të marrë peng një gardian.

Ai ndodhej në burg, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një greku dhe i përfshirë në 8 shkëmbime zjarri me policinë në Greqi, si dhe në dhunimin e gruas se një diplomati të huaj gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre dhe në rrëmbimin e një të riu që e liroi pasi mori shumë para nga familja e tij.

Pas arratisjes, ai mbërriti në Shqipëri dhe në  tetor 2019 u arrestua në Vlorë me një pistoletë pa leje. Drejtësia greke dërgoi dosjen e tij në Shqipëri, dhe gjykata vendosi ndaj tij masën “Arrest shtëpie” për akuzat që kërkohej në Greqi, konkretisht “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë”. Këtë masë ai e kryente në banesën e tij në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH.