...
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, mori pjesë në një takim ndërkombëtar të zhvilluar në Palermo, me temë “Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar dhe proceset e integrimit të organizatave kriminale transnacionale: analiza dhe perspektiva pune”.
Aktiviteti i mbajtur në Pallatin e Drejtësisë i kushtohet kujtimit të Giovanni Falcones dhe Paolo Borsellinos ndërsa morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të prokurorive dhe institucioneve të drejtësisë nga vende të Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine.
Në fjalën e tij, Braho theksoi qasjen e Prokurorisë së Posaçme përballë sfidave që paraqet krimi i organizuar transnacional, i cili sipas tij funksionon gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve ndërkufitare, të afta për t’u përshtatur me zhvillimet teknologjike, financiare dhe logjistike.
Ai nënvizoi rëndësinë e një qasjeje hetimore që synon të kuptojë të gjithë zinxhirin e veprimtarisë kriminale, duke nisur nga burimi dhe organizimi i aktivitetit kriminal, deri te lidhjet ndërkombëtare, mekanizmat financiarë, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe destinacionet përfundimtare të përfitimit të paligjshëm.
Gjatë diskutimeve theksi u vu dhe te mënyra e trajtimit publik të fenomenit të krimit të organizuar, duke kërkuar shmangien e përgjithësimeve mbi bazë kombësie, gjuhe apo përkatësie shoqërore. Po ashtu u theksua se lufta kundër krimit të organizuar duhet të fokusohet te individët, strukturat dhe rrjetet konkrete kriminale, duke u mbështetur në prova, analiza profesionale dhe bashkëpunim mes autoriteteve ligjzbatuese.
SPAK vlerëson se përballja me krimin e organizuar transnacional kërkon hetime proaktive dhe financiare, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me autoritetet homologe ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme e konsideron veten një partner serioz dhe aktiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.