...
Deputetët dhe eksponentët e Partisë Demokratike kanë reaguar këtë të shtunë lidhur me procesin e referendumit për rivotëbesimin e kreut të PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar atë si një proces unifikues dhe mbështetje për lidershipin aktual të partisë.
Pavarësisht mungesës së garës në këtë proces dhe skualifikimit të pesë kandidatëve që synonin të hynin në garë, shumica e figurave demokrate shmangën kritikat ndaj Berishës, ndërsa disa prej tyre zgjodhën ta vlerësojnë publikisht figurën e tij politike.
Deputetja Jorida Tabaku u shpreh shkurt se situata “nuk ka nevojë për koment”, duke e krahasuar procesin me zhvillimet në partitë e tjera politike.
“Quhet referendum, kështu është situata, bëjeni krahasimin me partinë tjetër, nuk besoj se këtu ka nevojë për ndonjë koment”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, deputetja Jozefina Topalli e cilësoi Berishën si një figurë simbolike në politikën shqiptare, duke theksuar se ai ka arritur të rikthehet politikisht pavarësisht sulmeve dhe izolimit.
“Në fund politika është provë karakteri. Ka lider që në pushtet janë të fuqishëm për shkak të pushtetit. Janë shumë të rrallë ata që bien në këmbë kur i heq çdo gjë. Në rastin e Berishës, është sulmuar në mënyrë të paprecedentë, është lobuar për ta shpallur non grata, ka pasur izolim planetar dhe ia ka dalë të rikthehet përmes besimit të njerëzve”, tha Topalli.
Edhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, komentoi mungesën e garës, duke deklaruar se demokratët po i nënshtrohen “ligjeve të referendumit”.
“Po të kishte garë do të bënim garë. Pa garë i nënshtrohemi ligjeve të referendumit”, u shpreh ai.
Deputetja Ledina Alolli e konsideroi procesin si një nga më të rëndësishmit për Partinë Demokratike dhe një shprehje të mbështetjes ndaj Berishës dhe opozitës.
Ndërsa deputeti Tritan Shehu i përcolli urime Berishës dhe PD-së, duke deklaruar se opozitën e presin “përpjekje të reja në përballjen me regjimin.
Reagim pati edhe nga deputeti Luçiano Boçi, i cili tha se pjesëmarrja në votim ka qenë e lartë dhe e cilësoi referendumin si një proces demokratik dhe unifikues për partinë.
“PD-ja nuk ka luksin të hyjë në debate, në ndarje, në përçarje, të cilat kemi kohë që i kemi përjetuar dhe duam t’i lëmë pas. Proceset unifikuese janë më të mirat dhe më të shëndetshmet për demokracinë e brendshme”, deklaroi Boçi nga selia blu.
Sipas tij, procesi ka qenë i hapur dhe demokratik, ndërsa theksoi se rezultati përfaqëson “vullnetin e demokratëve”.