... Nami.al

Arti në zi/ Ndahet nga jeta aktori i njohur Birçe Hasko!

Është ndarë nga jeta këtë të premte, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një nga figurat më të dashura dhe të vlerësuara të skenës dhe ekranit shqiptar.

Lajmi i trishtë është bërë publik nga aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj, i cili i ka dedikuar një mesazh prekës në rrjetet sociale.

Reagimi i Mevlan Shanës:

Ka ikur Birçe Hasko.

Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.

Iku labi Birçe Hasko. Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtërisë së interpretimit.

Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit. Lamtumirë mik e bashkëpunëtor.

Birçe Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin popullor të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.

Ai lindi në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942. Fillimisht u formua si mësues, përpara se t’i përkushtohej artit. 

Më pas studioi për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe kontribuoi edhe si pedagog, duke edukuar breza të rinj artistësh në mjeshtërinë e interpretimit.

Hasko cilësohej si “mjeshtër i karaktereve”, interpretoi dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, duke spikatur për realizmin, humorin dhe natyrshmërinë që sillte në personazhet e tij. 

Ai ishte pjesë e disa prej filmave më të njohur shqiptarë të viteve 1970-1990 dhe më pas.