Ekonomisti dhe aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn, i cili ka shpallur synimin për të kandiduar për president të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028, ka bërë një premtim të veçantë për Shqipërinë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, të xhiruar në një muze në Vjenë, Fehlinger-Jahn shprehet se, nëse zgjidhet president, do të angazhohet për rikthimin në Krujë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, të ruajtura në Austri.
“Si President i Austrisë, zotohem të rikthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar Mbretin Skënderbe”, shkruan ai në postimin e publikuar më 2 tetor.
Fehlinger-Jahn, kryetar i Austrian Committee for NATO Enlargement, njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm në favor të zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ai ka jetuar dhe punuar për disa vite edhe në Shqipëri dhe ka mbajtur qëndrime të shpeshta publike për vendin.
Në një intervistë për Tirana Times në 2012, ai tregonte se kishte ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998 dhe më pas ishte vendosur në Shqipëri në vitin 2008, duke jetuar për disa vite. Ndërkohë për Kosovën ka bërë fushatë publike për njohjen ndërkombëtare dhe integrimin në NATO dhe BE.
Përkrenarja dhe shpata që i atribuohen Skënderbeut ruhen në Weltmuseum Wien. Në vitin 2012, këto objekte u sollën përkohësisht në Shqipëri në kuadër të një ekspozimi në Muzeun Historik Kombëtar.
Fehlinger-Jahn ka shpallur gjithashtu më herët ide për forcimin e lidhjeve historike austro-shqiptare dhe për ngritjen e një monumenti të Skënderbeut në Vjenë.
