Sali Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se është kundër ndërtimit të kullës pranë Parkut Rinia në Tiranë.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal kundër projektit.
I pyetur për qëndrimin e tij ndaj kullës që pritet të ndërtohet në zonën e Tajvanit, Berisha tha se ka qenë dhe vijon të jetë kundër ndërtimeve të larta.
“Së pari, dua t’u garantoj se unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër çdo kulle. Por në rast se rikthehesh në periudhën 2005-2013, ju do gjeni se Sali Berisha nuk ka dhënë leje për asnjë kullë dhe ju do gjeni se në ato tetë vite në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është ndërtuar asnjë kullë e vetme.
Pra, një njeri që nuk lejoi, nuk miratoi ndërtimin e asnjë kulle, do të thotë se ka një qëndrim të qartë kundra tyre. Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij”, tha ai.
Ai bëri të ditur se Partia Demokratike po mbledh firma për një peticion, ndërsa synon edhe një referendum lokal kundër ndërtimit.
“Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj”, tha Berisha.
Berisha i cilësoi kullat si “monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit”.
Berisha tha gjithashtu se në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar gjatë qeverisjes së tij, nuk parashikoheshin ndërtesa mbi tetë kate në asnjë zonë të kryeqytetit.
