... Nami.al

Shpëtohen pesë turistë të huaj shpëtohen në Gjirin e Filikurit

Policia Kufitare e Himarës ka realizuar me sukses dy operacione shpëtimi gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Gjirit të Filikurit, duke nxjerrë në siguri pesë turistë të huaj që kishin mbetur të bllokuar në kushte të vështira.

Në rastin e parë, katër turistë – dy shtetas suedezë dhe dy britanikë – kishin dalë me kajak nga zona e Potamit drejt Filikurit. Për shkak të erës së fortë dhe dallgëve, ata humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të izoluar në det.

Pas kërkimeve përgjatë vijës bregdetare, shërbimet e Policisë Kufitare i lokalizuan pranë zonës së njohur si “Guri i Kuq” dhe bënë të mundur evakuimin e tyre në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një rast të dytë, një turiste australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në zonën e Filikurit. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare ndërhyri menjëherë, duke e transportuar drejt Portit të Himarës, nga ku më pas u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Turistët e shpëtuar kanë falënderuar efektivët për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.

Policia Kufitare apelon për kujdes të shtuar nga pushuesit dhe turistët që frekuentojnë zonat bregdetare, veçanërisht në kushte të pafavorshme atmosferike, ndërsa kujton se në çdo rast emergjence mund të kontaktohet numri 112.