... Nami.al

Berisha paralajmëron vizitë në SHBA “për të takuar miqtë” dhe tregon pse nuk do marrë pjesë në protestën e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protestat që po zhvillohen prej 13 ditësh në Tiranë kanë karakter qytetar dhe shkojnë përtej ndarjeve partiake, pavarësisht thirrjeve kundër tij gjatë tubimeve.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha tha se sloganet e ndryshme që dëgjohen në protestë nuk duhet të zbehin, sipas tij, qëllimin kryesor të lëvizjes.

“Ajo protestë është tej partive politike. Natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë dhe një palë tjetër jo, por nuk duhet të errësojnë misionin e madh të kësaj proteste”, u shpreh ai.

Berisha argumentoi se nuk ka marrë pjesë fizikisht në protestë pikërisht për të ruajtur natyrën qytetare të saj.

Sipas tij, ai u ka kërkuar anëtarëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike që të marrin pjesë vetëm si qytetarë dhe jo si përfaqësues politikë.

“Prania ime aty do të dëmtonte fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare”, deklaroi kreu i PD-së.

Teksa vlerësoi mobilizimin e të rinjve, Berisha tha se zhvillimet aktuale duhet të çojnë drejt krijimit të një qeverie kujdestare që, sipas tij, do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai shtoi se opozita po ndjek me vëmendje situatën dhe është e përgatitur për çdo zhvillim politik të mundshëm.

I pyetur për çështjen e heqjes së kufizimit të udhëtimit në SHBA, Berisha u shpreh se planifikon të vizitojë Shtetet e Bashkuara në një moment të përshtatshëm.

“Do të shkoj në SHBA për të takuar miqtë”, tha ai.

Deklaratat vijnë në një moment kur protestat e lidhura fillimisht me çështjen e Zvërnecit kanë marrë një dimension më të gjerë politik dhe shoqëror, ndërsa debati mbi rolin e partive politike në këto tubime vazhdon të mbetet i pranishëm.