... Nami.al

PS dhe PD bëhen bashkë për integrimin në BE (zbulohen prapaskenat si u arrit marrëveshja, pas një telefonate në mesnatë)

Parlamenti ka votuar me shumicë të cilësuar projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE.

Si rrallë herë, pro ka votuar edhe opozita.

Projektrezoluta kaloi me 114 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër.

Mësohet se deputeti që abstenoi është Bujar Leskaj, i Partisë Demokratike.

Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Por si u arrit kjo dakordësi në kulmin e debateve, kur opozita në javët e fundit ka folur për bllokim të integrimit dhe moskalimin e provimit IBAR, ndërsa maxhoranca ka deklaruar se është vazhdim normal i negociatave me BE?

Gjatë 48 orëve të fundit, Top Channel mëson se dy protagonistët e dakordësisë janë Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.

Mes tyre ka pasur një telefonatë, nga ku Balla është shprehur i gatshëm për të parë propozimet e opozitës, duke ngritur një grup pune në Komisionin e Punëve të Jashtme me Ilda Zhulalin, këshilltare e grupit të PD-së, dhe Edmond Haxhinaston nga opozita, si edhe Erion Malajn me Romina Kukon nga maxhoranca.

Mësohet se propozimet e opozitës kanë pësuar ndryshime në formulim, duke arritur në një produkt final që i ka shkuar për votim Parlamentit.

Draft-rezoluta ka marrë edhe bekimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës, një zë kritik konstant për mënyrën se si qeveria po vepron me integrimin europian.

BE ka theksuar se integrimi evropian i Shqipërisë nuk mund të bëhet i njëanshëm, pa konsensus me opozitën dhe pa përfshirjen e saj në reforma.