... Nami.al

Arrestohet në Janinë shqiptari me 167 kg hashash në makinë, tentoi t’i ikë policisë duke bërë manovra të rrezikshme

Një shqiptar është arrestuar nga policia greke në Janinë, pasi është kapur duke transportuar një sasi të madhe kanabisi.

Ndaj tij u ngrit një padi për trafik droge , drejtim të rrezikshëm të mjetit, falsifikim dhe shkelje të ligjit në lidhje me të huajt.

Konkretisht, oficerët e policisë ndaluan një makinë në një zonë të Janinës dhe u përpoqën ta kontrollonin atë.

Shoferi, për t’i shpëtuar kontrollit të policisë, nuk iu bind sinjaleve të policisë dhe përshpejtoi, ndërkohë që kryente manovra të rrezikshme, duke drejtuar disa herë në sensin e kundërt të trafikut.

Policia, pasi ndoqi makinën, arriti ta ndalonte atë pak kohë më vonë dhe arrestoi drejtuesin e mjetit, ndërsa brenda mjetit u gjetën dhe u sekuestruan 28 pako me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 167 kilogramësh e 200 gramë.

Gjithashtu u zbulua se mjeti, i cili u sekuestrua, kishte targa të falsifikuara.