... Nami.al

Mesazhi i koduar i Xi për Trump në Pekin

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, përdori një nga frazat e tij më të ngarkuara politikisht gjatë takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Pekin, kur deklaroi se bota po kalon një “transformim që ndodh një herë në një shekull”.

Sipas një analize të New York Times, kjo nuk ishte thjesht retorikë diplomatike, por një mënyrë për të artikuluar vizionin strategjik të Pekinit për ndryshimin e ekuilibrave globalë.

Në diplomacinë kineze, kjo shprehje – më shpesh e formuluar si “ndryshime të mëdha të paparë prej një shekulli” – nuk është thjesht retorikë.

Ajo përfaqëson një ide qendrore të vizionit strategjik të Xi-së: bindjen se rendi global i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe i dominuar nga Shtetet e Bashkuara po hyn në fazën e tij të fundit.

Sipas studiuesit të politikës kineze, Rush Doshi, autor i librit The Long Game: China’s Grand Strategy to Displace American Order, origjina e kësaj fraze daton që në shekullin XIX.

Ajo lidhet me Li Hongzhang, një gjeneral dhe reformator i Dinastisë Qing, i cili në vitin 1872 argumentonte nevojën e modernizimit ushtarak të Kinës përballë teknologjive të reja perëndimore.

Në një memorandum të kohës, ai shkruante për “ndryshime të mëdha të paparë në tre mijë vjet”, duke paralajmëruar se Kina rrezikonte të mbetej pas fuqive të huaja.

Në fund, Kina nuk arriti të modernizohej mjaftueshëm dhe përjetoi atë që në historiografinë kineze quhet “shekulli i poshtërimit” – një periudhë pushtimesh, luftërash dhe ndikimi të fuqive të huaja.

Xi e ka rimarrë këtë koncept dhe e ka kthyer në një lloj thirrjeje strategjike: një moment historik ku Kina duhet të shfrytëzojë teknologjinë, ekonominë dhe dobësimin relativ të Perëndimit për të rimarrë një rol qendror në sistemin ndërkombëtar.

Në vitin 2023, Xi u dëgjua aksidentalisht nga mikrofonat gjatë një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë: “Tani po ndodhin ndryshime që nuk i kemi parë prej 100 vitesh – dhe ne po i drejtojmë këto ndryshime së bashku.”

Përdorimi i së njëjtës ide përballë Trump-it në Pekin shihet nga analistët si një mesazh i qartë diplomatik: Kina kërkon të vendosë një realitet të ri në marrëdhëniet me Washington-in – një botë ku Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë më rregullat e lojës dhe ku dy fuqitë duhet të negociojnë mënyrën e bashkëjetesës globale.

Në këtë kuptim, fraza e Xi-së nuk ishte thjesht filozofike. Ajo ishte një sinjal politik – dhe ndoshta edhe një paralajmërim i koduar për epokën që Kina beson se ka nisur.