... Nami.al

Dy ushtarakë shqiptarë triumfojnë në SHBA, fitojnë garën ‘Best Warrior’ të Gardës Kombëtare të Nju Xhersit

Dy ushtarakë shqiptarë kanë triumfuar në garën “Best Warrior” të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Nju Xhersit për vitin 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila njoftoi të mërkurën se Marjus Cauli dhe Hambel Peçi morën pjesë në garën elitare ushtarake dhe fituan në kategoritë e tyre përkatëse.

Sipas ambasadës amerikane, gjatë katër ditëve tepër sfiduese, pjesëmarrësit në garë u testuan në kurse me pengesa, prova të aftësisë fizike, aftësi luftarake në ujë, orientim në terren dhe ushtrime të qitjes me sisteme të ndryshme armësh.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror mes Gardës Kombëtare të Nju Xhersit dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Në një postim në rrjete sociale, Ambasada Amerikane e cilësoi fitoren e ushtarakëve shqiptarë si një dëshmi të forcës dhe suksesit të partneritetit mes dy vendeve.