... Nami.al

Raporti urgjent i ODIHR për financimin e partive: Të ndalohen donacionet e fshehura dhe të rritet kontrolli i KQZ

ODIHR i ka sjellë opinionin urgjent të kërkuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore për sa i përket projektligjit për financimin e partive politike. Në këto rekomandime, ODIHR kërkon më shumë transparencë, kontroll dhe mekanizma kundër shmangies së rregullave.

Në raport theksohet se boshllëqet rregullatore në fusha si huatë, financimi nga palë të treta dhe zbatimi i ligjit mund të minojnë efektivitetin e sistemit dhe të krijojnë hapësira për abuzim. Për këtë arsye, ODIHR rekomandon që projektligji të harmonizohet plotësisht me kuadrin ekzistues ligjor për financimin politik.

Një nga rekomandimet kryesore lidhet me transparencën e donatorëve. ODIHR kërkon ndalimin e qartë të donacioneve të bëra në emër të personave të tjerë, si dhe deklarimin e profesionit, punëdhënësit dhe pronësisë përfituese të kompanive që financojnë partitë politike. Sipas raportit, këto masa do të ndihmonin në uljen e rrezikut të financimeve të fshehura dhe shmangies së ligjit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është rregullimi i huave për partitë politike. ODIHR sugjeron krijimin e një kuadri të plotë për burimet e lejuara të huamarrjes, kufijtë, garancitë dhe kushtet e shlyerjes, si dhe deklarimin e plotë të këtyre huave në bilancet financiare të partive. Gjithashtu, kërkohet monitorim më i fortë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Raporti vë theks edhe te financimi publik. ODIHR rekomandon që të përcaktohen kritere të qarta dhe transparente për shpërndarjen e fondeve publike, sidomos për fondet që lidhen me promovimin e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve. Po ashtu, kërkohet përcaktim më i qartë i rregullave për aksesin falas të partive politike në mediat publike gjatë fushatave zgjedhore.

Sa i përket transparencës, ODIHR kërkon që raportet financiare të partive dhe audituesve të publikohen pa vonesa dhe të mbeten të aksesueshme për publikun për një periudhë të gjatë kohore. Në raport rekomandohet edhe krijimi i një sistemi elektronik raportimi, me bazat kryesore të përcaktuara në ligj.

Një pjesë e rëndësishme e opinionit lidhet me fuqizimin e rolit të KQZ-së. ODIHR kërkon sqarim të kompetencave hetimore të institucionit, mekanizma bashkëpunimi me institucione të tjera dhe garantimin e aksesit publik në të dhënat për financimin e partive politike.

Në lidhje me sanksionet, ODIHR rekomandon që gjobat për donacionet mbi kufijtë e lejuar të jenë shumëfish i shumës së tejkaluar dhe që projektligji të përfshijë penalitete për të gjitha shkeljet e mundshme, përfshirë marrjen e donacioneve nga burime të ndaluara.

Sipas ODIHR, zbatimi efektiv i reformës do të varet nga burimet financiare, njerëzore dhe hetimore që do t’i vihen në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.