...
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, zhvilloi në Kuvend një interpelancë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me një artikull të përbashkët të publikuar në shkurt të këtij viti nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Në atë shkrim, Rama dhe Vuçiç propozonin një qasje të re për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke sugjeruar një model ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitonin akses në tregun e brendshëm dhe zona të tjera të BE-së, pa të drejta vetoje dhe pa ndryshime në strukturat vendimmarrëse të Unionit.
Gjatë fjalës së tij, Shehu u shpreh se interpelanca duhej të ishte zhvilluar me kryeministrin Edi Rama dhe jo me ministrin Hoxha, duke e konsideruar artikullin një nismë personale të dy liderëve.
Sipas tij, propozimi i bërë në artikull bie ndesh me parimet e integrimit evropian dhe me rezolutat e miratuara më herët në Kuvend, që mbështesin anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se një qasje e tillë cenon interesat strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.
Shehu e kritikoi ashpër idenë e artikullit, duke e cilësuar si përpjekje për të futur në BE “regjime autokratike” dhe duke kundërshtuar çdo mundësi të integrimit të Shqipërisë në të njëjtin proces me Serbinë, të cilën e akuzoi për orientim drejt Rusisë.
Nga ana tjetër, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u shpreh se artikulli duhet parë në kontekstin e debatit aktual për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe modeleve të reja të integrimit gradual.
Sipas tij, propozimi synon ta bëjë më të prekshëm dhe më të besueshëm procesin e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u dhënë atyre më herët disa përfitime të tregut të brendshëm dhe lëvizshmërisë, pa cenuar objektivin e anëtarësimit të plotë në BE.
Hoxha theksoi se nuk bëhet fjalë për heqje dorë nga anëtarësimi i plotë, por për një qasje fleksibël dhe të përshpejtuar të integrimit, në një kohë kur vetë Bashkimi Evropian po diskuton modele të reja zgjerimi dhe përshtatjeje.