...
Partia Demokratike pritet të zhvillojë këtë të premte, në orën 19:00 protestën e radhës në kryeqytet, të cilën lideri demokrat Sali Berisha e ka cilësuar si pjesë të një “kryengritjeje paqësore”.
Në deklaratat e tij të fundit, Berisha është shprehur se opozita ndodhet “në kilometrin e fundit” të aksionit politik.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme, ndërsa u ka bërë thirrje protestuesve për respektimin e kufijve të lejes së protestës dhe zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të tubimit.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit Skënder Hita, protesta është e autorizuar vetëm në hapësirën e përcaktuar në bulevard, ndërsa çdo devijim nga itinerari i miratuar do të sjellë ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese.
“Përsa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi Hita ditën e djeshme gjatë një konference për mediat.
Rrugët që do të bllokohen
Nga ora 23:45 e datës 7 maj deri në përfundim të tubimit, është bllokuar lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi në bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga zona e njohur si Ura e Dajtit deri te rruga “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 e datës 8 maj deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te Sheshi Nënë Tereza.
Kufizime do të ketë gjithashtu edhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Ndërkohë sjellim ndërmend se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë publik një njoftim drejtuar shtetasve amerikanë, ku u këshillon që të tregohen të kujdesshëm.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet. Po ashtu, bëhet e ditur se stafi i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën ku do të zhvillohet protesta.
Dy ditë më parë, kreu i demokratëve Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar për të diskutuar mbi protestën e sotme, duke iu bërë deputetëve thirrje që çdo minutë t’ja kushtojnë asaj.
“Jemi në prag të 8 majit, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe për shqiptarët. Ndaj edhe një herë në mënyrën më të vendosur, bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë, t’ja kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me të gjitha mjetet t’i dekurajojnë.”, shprehej Berisha.
Duke iu drejtuar deputetëve, lideri demokrat kërkoi nga ata angazhim për ta kthyer PD-në në forcën kryesore që punon për të ardhmen e vendit.