... Nami.al

Starmer pëson disfatë të rëndë në zgjedhje, triumfon partia e Farage që ofendoi shqiptarët

Në Britaninë e Madhe, kryeministri Keir Starmer ka pësuar një disfatë të rëndë në zgjedhjet lokale.

“Nuk do të jap dorëheqjen”, u shpreh ai ndërsa rezultati për Këshillat e zonave elektorale, tregoi humbje të madhe për partinë e tij Laburiste.

Fituesi i madh është Nigel Farage, që njihet për gjuhën e tij të ashpër me ofendime dhe paragjykime në drejtim të shqiptarëve.

Sipas rezultateve, partia e tij Reform UK është fituese me 399 anëtarë këshilli në mbarë vendin, Konservatorët forcë e dytë politike me 256 anëtarë këshilli dhe më pas Laburistët e Keir Starmer me 253 anëtarë këshilli.

“Është një kthesë e vërtetë historike”, ishte komenti i parë i Farage duke treguar një orekst të shtuar për pozitën e tij në parlamentin britanik.

“Në tërësi, ajo që ka ndodhur është një ndryshim vërtet historik në politikën britanike. Jemi mësuar prej kohësh ta shohim politikën në terma të majtë dhe të djathtë, megjithatë ajo që Reform po arrin të bëjë është të fitojë në zona që kanë qenë gjithmonë konservatore. Por njëkohësisht, ne po dëshmojmë në mënyrë të madhe se mund të fitojmë edhe në zona që Partia Laburiste i ka dominuar që nga fundi i Luftës së Parë Botërore”, tha Farage.

Deri më tani, Laburistët kanë humbur të paktën 8 zona elektorale.

Keir Starmer, Kryeministër i Britanisë së Madhe, tha: “Këto janë rezultate vërtet të vështira. Nuk do të përpiqem t’i zbukuroj. Dhe kemi humbur përfaqësues të shkëlqyer laburistë, njerëz që kanë dhënë kaq shumë për komunitetet e tyre, kaq shumë për partinë tonë dhe lëvizjen tonë. Votuesit kanë dërguar një mesazh për ritmin e ndryshimit dhe mënyrën se si duan që jeta e tyre të përmirësohet. Unë jam zgjedhur për t’u përballur me këto sfida dhe nuk do të largohem prej tyre duke e zhytur vendin në kaos”.

Në zgjedhjet lokale dhe rajonale në Britani qytetarët zgjedhin këshilltarë vendorë dhe, në disa zona, edhe përfaqësues për parlamentet rajonale të Skocisë dhe Uellsit. Këto zgjedhje nuk janë për kryeministrin drejtpërdrejt, por janë të rëndësishme sepse tregojnë sa mbështetje kanë partitë kryesore dhe si po shkon qeverisja e vendit. Në praktikë, votuesit vendosin për çështje shumë konkrete si shërbimet lokale, transporti, taksat vendore dhe administrimi i zonës së tyre.