... Nami.al

Dosja “Toyota Auris”, GJKKO dënon avokaten Erida Lazimi për ndikim të paligjshëm

Gjykata e Posaçme vendosi sot deklarimin fajtore të avokates Erida Lazimi, e akuzuar për ndikim të paligjshëm tek një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës për të favorizuar të pandehurit e dosjes së njohur si “Toyota Auris”.

GJKKO vendosi dënimin e Lazimit me 1 vit burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 8 muaj heqje lirie.

Po ashtu, u vendos pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe Lazimi u vendos në shërbim prove për një periudhë prej 16 muajsh.

Çështja ndaj Lazimit u nda dosja hetimore që ka si objekt veprimet e një numri të konsiderueshëm funksionarësh dhe ish-funksionarësh të sistemit të drejtësisë, për ushtrim ndikimi, korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve e funksionarëve të tjerë të drejtësisë, trafik të narkotikëve dhe pastrim parash, vijimësi e procedimit penal fillestar ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeres së Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, të akuzuar për ndikim të paligjshëm e korrupsion në çështjen e “Toyota Auris”.

Sipas SPAK, i pandehuri Astrit Vladi i ka kërkuar avokates Erida Lazimi, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar të pandehurit e çështjes “Toyota Auris”.

Më 14 shtator të vitit 2020 është zhvilluar seanca paraprake për gjykimin e kërkesës për dërgim në gjyq të të pandehurve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, pasi në dy automjete të llojit “Toyota Auris”, që transportonin u gjetën rreth 3.4 milionë euro.

Çështja “Toyota Auris” mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi në vitin 2018 mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës.

Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Auris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës.