... Nami.al

“490 mijë pensionistë bëjnë një jetë më të vështirë se në socializëm”, Berisha: Ne do këpusim nyjën gordiane

Kryedemokrati Sali Berisha tha se 490 mijë pensionistë që marrin pension të pjesshëm, bëjnë një jetë në disa aspekte më të vështirë se në socializëm.

Gjatë tryezës së organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, Berisha vuri në dukje që në Shqipëri rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve.

“Trajtojmë problemin e pensioneve për mbi 1/3 e popullatës së vendit, e cila jeton në varfëri edhe po të jetë për pensionin që merr, në varfëri të skajshme.  Mbase duhet të kemi parasysh një gjë, që rreth 490.000 pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime.  Dhe po të kemi parasysh çmimet e tregut, ata kanë një jetë shumë, shumë të vështirë. Kanë një jetë, në disa aspekte, më të vështirë se në socializëm. Ku, me aq sa merrnin, ato që ishin i blinin. Me ato çmime simbolike.  Kurse sot çmimet nuk janë më simbolike. Çmimet janë krejtësisht të përcaktuara nga tregu. Dhe në Shqipëri, fenomeni, zhvillimi më negativ ka qenë ky, që rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve”, tha ai.

“Dhe, në Shqipëri, inflacioni, në tërësi, krahasuar me inflacionin selektiv, inflacionin, ta quajmë të shportës së mallrave më të domosdoshme, ushqimeve dhe mallrave më të domosdoshme për pensionistin.  Ky inflacioni i dytë, në realitet, mund të jetë 10, 20 herë më i madh, më i lartë sesa inflacioni në tërësi. Pra, po të marrësh, kemi të bëjmë me, në, në qoftë se i përdorim, kemi të bëjmë me një cinizëm shifrash të pashembullt. Themi se inflacioni ishte 2%, inflacioni i ushqimeve atë muaj mund të ketë qenë 15%. Po me këto pak para që ka, ai ato, ai të gjitha i ka të përqendruara në atë shportë”, vijoi kryedemokrati.

Berisha u zotua sot për rritje të pensioneve dhe të rrogave të ulëta kur PD të jetë në qeverisje.

Berisha konsideroi si përparësi të  demokratëve po ashtu vendosjen e minimumit jetik, që në Shqipëri të mos ketë varfëri ekstreme.

“Në mbledhjen e kontributeve se jo. Ne do ulim taksën sociale. Ne e ulim taksën sociale. Sepse ulja e taksës sociale është një nga rrugët më të sigurta për të ulur informalitetin dhe është një nga rrugët më të sigurta për nxitur prodhimin, investimet me radhë. Por shteti do të bëjë kontributet e veta. Shteti duhet të këpusë nyjën gordiane. Shteti nuk mund të pranojë kurrë këtë, këtë situatë dramatike. 490 mijë pensionistë janë me pensione të pjesshme. Lëre pastaj që në skemat burokratike, kjo është e vërtetë, normalisht, në qoftë se do ishe një ecuri normale në një sistem, po ne kemi kapërcyer sisteme. Është e domosdoshme të bëhen zgjidhje që të kenë parasysh se të kalosh nga sistemi socialist në sistemin e tregut, që është sistemi i mrekullisë ekonomike, nuk ka dyshim, por nga ana tjetër është dhe sistemi i çmimeve që i kontrollon tregu”, tha Berisha.

“Zotimi ynë është një rritje e madhe pas vendosjes së minimumit jetik e pensioneve, e rrogave të ulëta, rrogave të mesme, me qëllimin kryesor të tejkalojmë të gjitha vendet e rajonit. Të dalim në krye si qytetarët më të shpërblyer, më të vlerësuar. Dhe kjo ka bërë, bëri në atë kohë që numri i shqiptarëve çdo vit, nga 2007-ta në 2014-ën të rritet. Të rritet. Njerëzit lëviznin, njerëzit emigronin, njerëzit ktheheshin, por numri rritej. Numri rritej, kishte besim, kishte shpresë në Shqipëri. Konstatonin se ishte një platformë që synonte mëkëmbjen e qytetarëve, mirëqenien e tyre, në rritje, në progres”, theksoi Berisha.