... Nami.al

I morën 55 mijë euro të pandehurit për ta shpëtuar nga burgu, kalon për gjykim dosja ndaj dy ish-prokurorëve

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim 4 të pandehurit Kledian Llaho, Çlirim Shahini, të dy ish-prokurorë në Sarandë, së bashku me biznesmenin Vasil Bakalli dhe Pando Papuçit.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj Pando Papuçit, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje. Llaho dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek.

Ndërsa prokurori i Papuçit, Çlirim Shahini provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.

Kledian Llaho akuzohet për veprat penale Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”

Çlirim Shahini akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”

Vasil Bakalli akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”

Pando Papuçiakuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”

Njoftimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 73/2024, në ngarkim të të pandehurve: Kledian Llaho, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini.”.

Në seancën e datës 06.05.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 69, datë 06.05.2026, bazuar në nenet 332 e vijues të K.Pr.Penale, vendosi: 

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 73/2024 në ngarkim të të pandehurve: 

– Kledian Llaho për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç – 25, 245/1 paragrafi i katërt, dhe 25 të Kodit Penal; – –

– Vasil Bakalli, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë” në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç – 25, 245/1 paragrafi i katërt, dhe 25 të Kodit Penal; 

-Pando Papuçi, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë” parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal në 2 episode; 

-Çlirim Shahini, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të përbërë nga 3 (tre) gjyqtarë.  

Së bashku me kërkesën e Prokurorisë për dërgimin e çështjes për gjykim, dërgohet dhe kërkesa e të pandehurit Pando Papuçi për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të tij sipas procedurës së parashikuar për gjykimin e shkurtuar.

Fashikulli i gjykimit përmban të gjitha provat e Prokurorisë së Posaçme sipas akteve të hetimit; provat shkresore të depozituara gjatë seancës paraprake nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre; kërkesa me shkrim për gjykim të shkurtuar e të pandehurit Pando Papuçi.

Ngarkohet Kryesekretaria e Gjykatës të vijojë procedurat për hedhjen në short të çështjes me qëllim formimin e një trupi tjetër gjykues. 

Ngarkohet sekretaria gjyqësore të dorëzojë vendimin për dërgimin e çështjes në gjyq dhe fashikullin e gjykimit brenda 10 (dhjetë) ditëve pranë Kryesekretarisë.  7. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.