... Nami.al

Denoncimi i Erion Braçes: Kontrabandë nafte Shqipëri–Kosovë, janë përfshirë dhe zyrtarë të dy vendeve

Deputeti Erion Braçe ka ngritur sot në Kuvend shqetësime për tregtinë e hidrokarbureve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Braçe tha se sipas të dhënave për vitin 2025, importi i hidrokarbureve në Shqipëri ka qenë rreth 609 milionë kilogramë, ose afërsisht 700 milionë litra, ndërsa rieksporti drejt Kosovës ka arritur në 731 milionë litra.

Ai theksoi se gati një e treta e këtij rieksporti kryhet nga vetëm një kompani, gjë që sipas tij ngre dyshime.

Ai foli për një “histori kontrabande” mes dy vendeve, ku sipas tij mund të jenë të përfshirë edhe zyrtarë nga të dyja anët, në bashkëpunim me operatorë privatë.

Braçe shtoi se kontrabanda ndikon në mbajtjen e çmimeve të larta dhe kërkoi nga institucionet fiskale që të ndërhyjnë për ta ndalur këtë fenomen.

“Ajo që mua më shqetëson është ajo që po ndodh me rieksportin e hidrokarbureve nga Shqipëria në Kosovë që s’e hap gojën kush për këtë se cenohen ata që mbron zotëria e me demek që mbroj unë. Për 2025, importi i hidrokarbureve ka qenë diku te 609 milionë kilogramë, diku te 700 milionë litra. Rieksporti në drejtim të Kosovës është 731 milionë litra, ku gati 1/3 e bën vetëm një kompani.

Afërmendsh që kam dyshime të forta që kjo naftë nuk shkon në Kosovë, kjo naftë tregtohet brenda vendit. Një histori e turpshme e kontrabandës midis të dyja vendeve janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve që bëjnë këtë punë me të njëjtët operatorë, arkëtojnë atje.

Patjetër, kontrabanda është një element shumë i rëndësishëm që mban çmime të larta. Çmimet e ulëta s’kanë asnjë vlerë për kontrabandën. Ky është një problem që duhet ta adresojnë institucionet tona fiskale me qëllim që t’i japim një goditje përfundimtare kësaj historie”, tha Braçe.