... Nami.al

Propozimi i ministrit të Jashtëm kosovar, nga Tirana: Të dërgojmë mësues të gjuhës shqipe në shtetet ku është mërgata jonë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca gjatë “Samitit të Diasporës” të mbajtur sot në Tiranë, ka theksuar nevojën për një qasje të re dhe të përbashkët në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë vendit.

Sipas tij, një ndër arritjet më të mëdha do të ishte dërgimi i një numri të konsiderueshëm mësuesish të gjuhës shqipe në ato vende ku është e përqendruar më së shumti diaspora shqiptare, të cilët duhet të financohen nga Kosova dhe Shqipëria.

“Arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku me Shqipërinë, të dërgonim një numër të madh të mësimëdhënësve që financiarisht mbulohen nga Republika e Shqipërisë dhe Kosovës. Do ishin me qindra mësimdhënës që mirëmbajnë gjuhën shqipe në ato shtete ku është e përqendruar mërgata jonë.

Deri më tash kjo ka qenë vullnetare e organizuar nga mërgata jonë. Konsideroj se numri i fëmijëve tanë është i vogël, që e ndjekin shkollën shqipe, nuk besoj se i kalon 10 për qind.

Kjo s’duhet të jetë vetëm pjesë e familjes, por e shteteve tona. Kemi nevojë ta ngremë në një nivel të ri. Dimensioni i dytë shumë me rëndësi është rijetëzimi i mërgatës, duhet të krijojmë ombrella të përbashkëta të shoqatave dhe organizatave”, është shprehur ministri Glauk Konjufca.