... Nami.al

Zjarri te pallati “Farmacia 10”, shkon në 5 numri i të lënduarve, asfiksohet edhe një zjarrfikës (VIDEO)

Ka shkuar në 5 numri i të lënduarve nga zjarri që ka përfshirë një pallat në zonën e “Farmacia 10” në Tiranë. Mes të lënduar janë dy qytetarë dhe tre zjarrfikës.

Situata në vendngjarje paraqitet kritike. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po përhapet me shpejtësi, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve.


Disa banorë janë zbritur me shkallë nga zjarrfikësit. Situata duket problematike, teksa nga katet lart kanë rënë edhe inerte, në momentin e operacionit delikat të shpëtimit të qytetarëve.

Për të vënë nën kontroll flakët, në ndihmë të forcave në terren janë angazhuar edhe helikopterë nga Ministria e Brendshme, të cilët po hedhin ujë nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.


Shkaqet e zjarrit momentalisht nuk janë të qarta. Të paktën nga çfarë mund të dallohet lehtësisht në pamje, fillimisht nga flakët u përfshi fasada e pallatit, një ndërtim i ri në zonë.

Në fare pak kohë zjarri mori përmasa të mëdha, duke bërë që shtëllungat e tymit të dalloheshin edhe nga një distancë e largët.