...
Bashkimi Europian po shkon drejt modelit “shqiptar” për kthimin e emigrantëve të paligjshëm. Brukseli, sipas asaj që njoftojnë mediat ndërkombëtare, po shqyrton seriozisht propozimin për ngritjen e qendrave europiane të riatdhesimit në territorin e vendeve të treta. Komisioni Europian ka bërë me dije se është gati që të ekzaminojë propozimin e shteteve anëtare, me kusht që ato të bazohen në bashkëpunim me vendet partnere.
Italia është ndër vendet që po shtyjnë më me forcë krijimin e qendrave europiane të riatdhesimit në vendet e treta, të njohura si “qendra kthimi”, të cilat i ka testuar në marrëveshjen me Shqipërinë që mori dritën jeshile pasi kaloi testet ligjore.
Çështja do të jetë në qendër të takimit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian. Një nga aspektet më të ndjeshme ka të bëjë me mundësinë e përdorimit të burimeve europiane për të financuar objekte të tilla, një element kyç i propozimit të mbështetur nga qeveria italiane.
Në nivelin rregullator, procesi ka ndërmarrë tashmë një hap të rëndësishëm: Rregullorja Europiane për Kthimet, e cila hap rrugën për marrëveshje me vendet e treta, është miratuar nga Parlamenti Europian dhe pret vetëm miratimin formal nga Këshilli përpara se të hyjë në fuqi.
Propozimi erdhi pas krizës së rëndë me emigrantët në Ceuta, enklavën e Spanjës pranë Marokut, ku u dyndën me mijëra refugjatë. Iniciativa e çuar përpara nga Italia mbështetet nga Danimarka, Holanda dhe Gjermani, por kundërshtohet nga Franca, Spanja dhe Portugalia.