...
Autoritetet meksikane kanë arrestuar Alfonso Fernández Magallón, i njohur me nofkën “Poncho La Quiringua”, një nga drejtuesit e kartelit “Los Reyes”, për të cilin Shtetet e Bashkuara kishin shpallur një shpërblim prej deri në 5 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.
Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua në fshatin Imbaracuaro, në komunën Los Reyes de Salgado, në shtetin Michoacán. Në aksion morën pjesë forcat federale të drejtuara nga ushtria meksikane, të mbështetura edhe nga dy helikopterë të armatosur.
Pas arrestimit, Magallón u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme në Mexico City.
Sekretari për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Qytetarëve, Omar García Harfuch, deklaroi se i arrestuari akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë, organizim rebelimi, vjedhje automjetesh, zhvatje dhe trafik droge.
Sipas autoriteteve, Magallón konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i Juan José Farías, i njohur si “El Abuelo”, drejtues i kartelit Tepalcatepec dhe themelues i grupeve të vetëmbrojtjes në Michoacán. Për Farías, autoritetet amerikane ofrojnë një shpërblim prej 10 milionë dollarësh.
Hetuesit e lidhin Magallón edhe me sulme me dronë ndaj forcave ushtarake gjatë vitit 2025 në disa zona të shtetit Michoacán.
Pas arrestimit të tij, anëtarë të organizatës kriminale dogjën automjete në komunat Los Reyes dhe Peribán, si dhe ngritën barrikada në disa akse rrugore. Autoritetet njoftuan se forcat e sigurisë i hoqën shpejt bllokadat dhe rikthyen qarkullimin.