...
Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të mërkurë që seanca e radhës ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të vazhdojë në Shtator, pas pushime.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 10 Shtator, në orën 11:00.
Ilir Meta ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se në mënyrë përsëritëse, ka mashtruar gjykatën në lidhje me akuzat e lobimit në SHBA.
“Për fat të keq, në mënyrë recidiviste prokuroria mashtron në lidhje me këtë çështje. Jo pa qëllim, ne kemi kërkuar persona të caktuar për të dëshmuar. Unë jam rrëmbyer më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie të falsifikuar. Letërporosia erdhi në shtator për marrëveshjen me DSIS”, është shprehur ai.
Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i vendit, ka ttreguar se çështja ndaj tij është ngritur fillimisht në një gazetë amerikane dhe më pas janë zhvilluar takime me ish-kreun e FBI, Charles McGonigal, i cili është shpallur fajtor nga drejtësia amerikane.
“Kjo çështje është ngritur që në vitin 2018 nga Mother Jones, pas zgjedhjeve në SHBA më 4 nëntor, kur iku regjimi i Charles McGonigal, pasi ky i fundit është i përfshirë në hetimet e mia dhe kjo është e konfirmuar nga gjykatat amerikane. Gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë merrte dhe dekorata nga bashkia McGonigal. Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë dhe aty ka informacione se ka qenë me Tom Doshin. Po ashtu, thuhet se në atë takim ka qenë edhe shtetasi Durim Bami. Pas këtij takimi, më pas ka dalë në skenë Romeo Karaj, që shkoi dhe bëri kallëzimin ndaj meje. Këta më kanë marrë në pyetje, unë kam dhënë sqarime në lidhje me këtë çështje. Janë sqarimet e mia ato që kanë qëndruar dhe do t’i qëndrojnë kohës”, ka thënë ish-presidenti Ilir Meta.
Ai ka akuzuar në sallën e gjyqit prokurorët e SPAK, për sekuestrimin e celularit të Monika Kryemadhit, duke thënë se ka qenë prezent në shtëpi kur është bërë kontrolli dhe është marrë një nga celularët që është gjetur.
Sipas Ilir Metës, Monika Kryemadhi u ka bërë të ditur agjentëve se celulari ishte i saji personal dhe dhe jo i mamasë, Fatime Kryemadhi, ndaj nuk mund të sekuestrohej sepse ajo ishte deputete dhe kishte imunitet.
“Historia e telefonatave që dëgjuam: unë kam qenë prezent kur është bërë kontrolli i banesës. Kam qenë prezent kur zonja Kryemadhi ka pretenduar se një nga celularët e gjetur atje ishte celulari i saj personal. Ia ka bërë të qartë që ky është telefoni im dhe jo i mamit tim, dhe unë jam deputet, e të tjera. Mesa mbaj mend, kanë rënë dakord që të shënohet në procesverbal. Herën e kaluar dëgjuam që gjykata është shprehur që të bëhet ekspertimi i telefonit të Fatime Kryemadhit, kur ai nuk është i saj.
Këto janë veprime të qëllimshme kundër Ilir Metës. Ne e kemi paraqitur listën e dëshmitarëve me shkrim në seancën e kaluar. E theksoj edhe njëherë thirrjen e Edi Ramës si dëshmitar. Nëse kam pasur dijeni se çfarë donte të bënte Ardian Shatku, do të kisha reaguar. Ai ka dashur të ofrojë një shërbim që do t’u shërbente të gjithëve. Unë do ta kisha pyetur direkt Haxhinaston që të bënte një akt normativ ose do të kisha iniciuar një ndryshim ligji në Kuvend, por nuk kisha asnjë lloj interesi.
Unë kam qenë kundër monopoleve dhe këtë gjë e kisha zgjidhur me ligj në Parlament dhe nuk kisha nevojë t’i kërkoja favore askujt. E gjitha kjo është për të mbajtur shtypin e gënjeshtrave dhe ne këtu do të vazhdojmë një proces të rregullt ligjor, në mënyrë që të zbardhet e vërteta”, ka deklaruar ish-presidenti Ilir Meta.