...
Është zbardhur dokumenti i plotë i raportit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale.
Socilaistët kanë prezantuar katër opsionet për reformën e re, të cilët synojnë riorganizimin e qeverisjes vendore dhe rritjen e efikasitetit të bashkive.
Sipas dokumentit, variantet ndryshojnë si për mënyrën e organizimit territorial, ashtu edhe për shpërndarjen e funksioneve mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Katër opsionet e prezantuar nga PS për Reformën Territoriale:
Varianti 1: Ruhet harta aktuale, ndërsa funksionet më të avancuara u kalojnë bashkive me më shumë kapacitete ose realizohen përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.
Varianti 2: Bashkitë bashkohen në njësi më të mëdha, që të gjitha të kenë kapacitet për të ushtruar të gjitha funksionet ligjore.
Varianti 3: Parashikon bashkime të moderuara të bashkive dhe kalimin e disa funksioneve te qeveria qendrore ose strukturat ndërbashkiake.
Varianti 4: Bashkitë fokusohen vetëm te shërbimet bazë, ndërsa funksionet e tjera kalojnë te nivele të tjera të qeverisjes qendrore.
Katër skenarët do të shërbejnë si bazë diskutimi në procesin e Reformës Territoriale, përmes së cilës synohet rritja e kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe përmirësimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
“Mbi këtë bazë, Rishikimi Funksional i paraqiti Komisionit katër skenarë strategjikë, të cilët nuk janë rekomandime, por opsione analitike që ilustrojnë mënyra të ndryshme të harmonizimit përgjegjësi–kapacitet:
Varianti 1: Decentralizim asimetrik. Harta territoriale ruhet e pandryshuar, ndërsa përgjegjësitë funksionale diferencohen sipas kapacitetit të demonstruar: funksionet bazë u mbeten të gjitha bashkive, ndërsa funksionet më kërkuese u ngarkohen vetëm njësive me kapacitet të mjaftueshëm ose ushtrohen përmes qeverisjes së përbashkët. Avantazhi kryesor është shmangia e kostove të një rikufizimi; sfida është ndërlikimi i kuadrit ligjor e institucional dhe tradita e kufizuar e bashkëpunimit ndërbashkiak, që mund të kërkojë një nivel shtesë qeverisjeje.
Varianti 2: Bashkime të mëdha. Konsolidim territorial gjithëpërfshirës, me objektivin që çdo bashki e re të ketë kapacitet të mjaftueshëm institucional për të ushtruar të 41 funksionet e Ligjit nr. 139/2015, me mundësi edhe për decentralizim të funksioneve të mëtejshme. Avantazhi është barazia funksionale e plotë e njësive; sfidat janë vështirësia për të ndërtuar njësi të nivelit A në disa rajone, respektimi më i kufizuar i parimit të subsidiaritetit dhe rreziku që diversiteti kulturor të marrë më pak vëmendje.
Varianti 3: Bashkime të mesme dhe rialokim i funksioneve plotësuese. Konsolidim i moderuar: bashkimet përqendrohen te njësitë me kapacitet të kufizuar, në mënyrë që çdo bashki të ushtrojë me siguri funksionet bazë dhe të zgjeruara, ndërsa funksionet e specializuara plotësuese rialokohet te qeveria qendrore, bashkëpunimi ndërbashkiak ose niveli i dytë vendor. Avantazhi është raporti më i mirë kosto–përfitim i ndërhyrjes; sfidat janë rreziku i ricentralizimit të disa funksioneve dhe, sërish, nevoja e mundshme për një nivel shtesë qeverisjeje.
Varianti 4: Bashki të përqendruara në funksionet bazë. Ristrukturim më rrënjësor I përgjegjësive: bashkitë, përfshirë mundësinë e njësive më të vogla, përqendrohen te funksionet bazë, ndërsa funksionet plotësuese dhe një pjesë e të zgjeruarave rialokohet te rregullime të tjera qeverisjeje. Avantazhi është përputhja më e mirë me parimin e subsidiaritetit; sfidat janë vështirësia praktike e ndarjes së njësive dhe potenciali i kufizuar për decentralizim të mëtejshëm,” thuhet në raport.
Seanca pritej të ishte maratonë pasi ishte parashikuar me një rend të ngjeshur dite, por nuk arriti as në diskutime.
Pas 5 orësh debat pa u futur në asnjë moment në rendin e ditës, 7 projektrezoluta të institucioneve kushtetuese, 2 akte normative dhe 15 projektligje u votuan nga mazhoranca mes kaosit dhe thirrjeve të opozitës në foltore për dorëheqjen e kryeministrit Rama.