... Nami.al

Protesta te Kuvendi, 2 efektivë dhe 2 protestues të plagosur

Tensionet janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë protestës së ditës së sotme pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Situata u agravua pasi protestuesit tentuan të çajnë kordonin policor për t’u afruar drejt godinës së Parlamentit. Në përpjekje për shpërndarjen e turmës, policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të uniformave blu.

Nga përplasjet raportohet se kanë mbetur të lënduar dy protestues, të cilët janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Tensione në protestën te Kuvendi, policia shpërndan protestuesit me ujë me presion dhe spraj piperi

Gjithashtu, dy efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të dëmtuar gjatë përleshjeve. Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një tjetër është gjakosur pas goditjeve të marra nga sendet e hedhura nga protestuesit. Edhe për ta është kërkuar ndërhyrja e ambulancës.

Në protestën e sotme, e cila përkon me ditën e 54-t të tubimit qytetar, policia kishte vendosur dy perimetra sigurie dhe nuk lejoi stacionimin e protestuesve para Kuvendit.

Përplasjet ndodhën në një kohë kur në Parlament po zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.