...
Agron Shehaj u përjashtua nga seanca plenare, pasi pengoi vijimin e procesit të votimit në sallë.
Debati ndodhi në prani të kryeministrit Edi Rama, ku Shehaj i kërkoi dorëheqjen.
Duke njoftuar përjashtimin e tij, Niko Peleshi, iu drejtua Shehajt me fjalët: “Vazhdoni në oborr me TikTok-un tuaj, te lulishtja.”
Më herët, Peleshi i kishte tërhequr disa herë vëmendjen Shehaj, por pas debateve të ashpra dhe ndërprerjes së seancës, ai u përjashtua nga seanca.
Debati
Shehaj: Nuk i shpëton dot popullit.
Peleshi: Çfarë e ke këtë fjalor zoti Shehaj?
Shehaj: Populli ka përmbysur njerëz të pushtetshëm. Jep dorëheqjen.
Rama: Shihemi në 2029.
Peleshi: Mos pengoni votimin.
Pasi Shehaj vazhdoi me tone të ashpra, Peleshi e përjashtoi nga seanca.
Peleshi: Zoti Shehaj, neni 65, përjashtoheni nga senaca. Vazhdoni me TikTok-un në oborr tani.
Ndërkohë edhe pas përjashtimit, Shehaj i ka shkuar poshtë ulëses kryeministrit Rama dhe ka vazhduar ‘live’ në Tik Tok.
Kuvendi i Shqipërisë ndërkohë ka miratuar projektligjin për amnistinë penale me 84 vota pro, të siguruara nga mazhoranca socialiste.
Për shkak se amnistia penale kërkon shumicë të cilësuar, në seancë mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili votoi në favor të projektligjit.
Ndërkohë, deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, duke bojkotuar procesin.