...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni do të ndërmarrë sulme të ashpra ushtarake ndaj Republikës Islamike gjatë natës së sotme.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump pretendoi se kapacitetet mbrojtëse dhe një pjesë e madhe e aftësive sulmuese të Iranit janë neutralizuar, ndërsa paralajmëroi veprime të mëtejshme ushtarake.
“Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin shumë fort sonte”, shkroi presidenti amerikan, duke iu referuar forcave detare, ajrore, sistemeve të radarëve dhe mbrojtjes kundërajrore iraniane.
Trump shkoi edhe më tej në deklaratat e tij, duke përmendur ishullin strategjik Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit. Sipas tij, SHBA synon të marrë kontrollin e këtij territori dhe të infrastrukturës së lidhur me sektorin energjetik iranian.
“Në një moment jo shumë të largët, ne do të marrim ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës, duke marrë kontrollin e plotë të tregjeve të tyre të naftës dhe gazit”, deklaroi Trump.
Ishulli Kharg, i vendosur në Gjirin Persik, konsiderohet nyja kryesore e eksporteve iraniane të naftës bruto, pasi përmes tij kalon rreth 90 për qind e eksporteve të vendit.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa përplasjet dhe sulmet reciproke kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.