... Nami.al

Nis protesta e 12-të/ Aktivisti Arben Kola: Jemi kundër Ramës dhe Berishës, do t’i rrëzojmë. Kërcënimet më të mëdha na vijnë nga njerëzit pranë opozitës

Ka nisur prej pak minutash protesta e 12-të qytetare në sheshin “Skënderbej”. Më pas protestuesit do të bashkohen me pjesën tjetër përballë Kryeministrisë. Njëri prej organizatorëve të protestës, Arben Kola ka deklaruar se rrëzimi i qeverisë është i pashmangshëm dhe se qytetarët janë kundër Ramës, por edhe kundër Berishës ose siç i etiketoi ai Ramaviç dhe Sali Berishoviç.

“10-ditëshi ka kaluar pa asnjë incident. Ramaviç dhe Sali Berishoviç kanë marrë peng Shqipërinë. Do të rrëzohen sepse kanë dalë 6 milionë shqiptarë, do të rrëzohet sepse s’ka çare. Nuk jam organizator, por kam prirë protestën deri në podium. Këtu nuk jemi vetëm kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, por kundër politikës së 35 viteve”, tha Kola.

Arben Kola është shprehur se kjo është revolta më e madhe e shqiptarëve dhe që është e organizuar edhe në vende të ndryshme.

“Që nga dita e parë që ka nisur kjo protestë dhe i kam prirë, dua të them që problemet e 35 viteve nuk zgjidhjet për 10. Jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin, jemi kundër dyshes, Rama-Berisha.

A keni parë ndonjëherë tubime kaq të sinkronizuar, në të gjithë botën ku ka shqiptarë. Po të dihej se kush është këta do e kishin kapur, por duke qenë se është vullnet popullor nuk kanë çfarë të bëjnë, Por shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëzit pranë opozitës…”, u shpreh protestuesi.

Protestat qytetare kanë nisur prej majit, pas tensioneve dhe skandalit, ku gjatë protestës, rojet e një kompanie private sigurimi dhunuan protestuesin.