... Nami.al

“Mos lejoni patronazhistët e PS dhe militantët e PD të na përçajnë. SPAK të nisë hetimet ndaj Ramës”

Protestuesit janë mbledhur sërish këtë mbrëmje para Kryeministrisë, duke vijuar protestën e tyre të përditshme kundër qeverisë dhe klasës politike.

Ndër të parat që mori fjalën ishte aktivistja Sidorela Vatnikaj. Krahas kërkesave për largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës nga politika, Vatnikaj artikuloi edhe një kërkesë të re, duke i bërë thirrje SPAK-ut të nisë hetim ndaj kryeministrit Edi Rama.

Sipas saj, kreu i qeverisë duhet të hetohet për dijeninë që mund të ketë pasur lidhur me çështjet që lidhen me dosjet e Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut.

Më pas mikrofonin e morën aktivistë të tjerë dhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët shprehën kritika ndaj qeverisë, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë.

Një prej tyre tha se kërkesat e tyre lidhen me ndryshime më të thella politike dhe përfaqësim më të mirë të qytetarëve.

“Ne jemi makthi i tyre, prej 12 ditësh i ka kapur frika. Ne duam një sistem të ri. Pa rini nuk ka Shqipëri”, u shpreh një protestues. “Ne duam një sistem të ri, duam të dëgjohemi, ne jemi fillimi i ri, ne jemi Shqipëria e re”, deklaroi ai.

Në ditën e 12-të të protestës, një nga protestuesit u shpreh se tubimi fillimisht nisi si “revolucioni i flamingove”, por sipas tij, tashmë ka marrë një dimension më të gjerë.

“11 ditë më parë kjo nisi si revolucioni i flamingove. Kjo nuk është më çështja e flamingove, e Zvërnecit apo e Nartës, kjo është çështja e të drejtës sonë për t’u dëgjuar. Kjo është çështja e Shqipërisë që duam t’ua lëmë fëmijëve tanë. Lufta për të mbrojtur natyrën është një luftë që nuk mbaron kurrë. Këtu jemi për të mbrojtur krenarinë. Është beteja e fundit për të mbrojtur identitetin tonë. Nuk do të ndalemi”, tha ai.

Gjithashtu një tjetër protestues, ka ngritur shqetësimin lidhur me korrupsionin në vend. Ai bëri thirrje që shqiptarët të qëndrojnë bashkë deri në dorëheqjen e Ramës.

“Nuk harrojmë historinë e ’97, ku udhëheqësit shqiptarë u munduan të zbatojnë plane të fusnin në luftë jugun e veriun. Sot ka ndryshuar mentaliteti. Sot jemi bashkë nga të gjitha anët. Nuk ka më njerëz me mentalitet aq të ulët sa politikat të na përçajnë. Mos u përçani nga këta kriminelë që duan të vjedhin atdheun. Një dorëheqje pa kompromis. Sot punojnë fëmijë për të mjekuar prindërit e tyre…Sot kemi njerëz të ngujuar, nga fatkeqësia e keqkuptime për shkak të një shteti jofunksional. Dorëheqja është e pa-kompromis. Rama dhe Berisha, këta dy dinozaur të Shqipërisë…Janë bashkë edhe sot. PS organizon 35 vjetorin nesër. Ata janë të turpëruar nga kjo protestë, sepse ata kanë bërë protesta të dhunshme. Ne e dimë ku e kemi armikun, kemi qeveritarët e korruptuar. Mos të lejojmë që patronazhistët, me militantë të PD të bëjnë skema”, tha ai.