... Nami.al

PD: SHBA heq sanksionin “non grata” për Sali Berishën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë anuluar vendimin për shpalljen person “non grata” të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Burime zyrtare nga selia blu konfirmojnë se ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar personalisht ish-kryeministrit Berisha gjatë një bisede telefonike nga e ngarkuara me punë e Uashingtonit në Tiranë, Nancy Van Horn. Lajmi u reflektua menjëherë edhe në sallën e Kuvendit, ku lideri i opozitës u prit me brohoritje nga deputetët demokratikë, duke deklaruar përpara tyre: “Unë erdha! U krye!”.

Sanksioni ndaj liderit historik të demokratëve ishte vendosur më 19 maj të vitit 2021 nga Sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken, me argumentin e përfshirjes në korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, çka solli ndalimin e hyrjes në SHBA për të dhe familjen e tij. Berisha e kundërshtoi menjëherë masën duke ngritur një padi për shpifje ndaj Blinken në Gjykatën e Parisit, e cila megjithatë u rrëzua për mungesë juridiksioni.

Ky sanksion shkaktoi edhe një tërmet të fortë politik brenda Partisë Demokratike, kur më 9 shtator 2021, kryetari i atëhershëm Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Ky akt pasoi nisjen e lëvizjes së “Foltores” nga ish-kryeministri, e cila kulmoi me shkarkimin e Bashës dhe rimarrjen e drejtimit të partisë nga vetë Sali Berisha.

Pas ndryshimeve politike në Shtëpinë e Bardhë dhe zgjedhjes së Donald Trump në krye të SHBA-së, Partia Demokratike intensifikoi përpjekjet diplomatike për rishikimin e këtij vendimi. Një vit më parë, kjo forcë politike kontraktoi kompaninë amerikane të lobimit “Continental Strategy”, me një tarifë prej 250 mijë dollarësh në muaj, me synim krijimin e kontakteve me zyrtarë të administratës së re dhe Kongresit për promovimin e reformave institucionale dhe rishikimin e masave të ndërmarra ndaj liderit të opozitës shqiptare.