... Nami.al

Protestat, ministri Blendi Gonxhe: Një situatë e cila kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej shtatë ditësh kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Në një prononcim për mediat nga Pogradeci, ai u shpreh se situata kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë nga të gjitha palët.

Protestat, të cilat kanë mbledhur çdo ditë qytetarë, aktivistë dhe të rinj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, kanë në qendër kundërshtimin ndaj zhvillimeve të planifikuara në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe kërkesën për rishikimin e projektit.

Gonxhja tha se qeveria po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe nuk është nxituar të japë reagime të menjëhershme, me synimin për të pasur një qëndrim të peshuar dhe të argumentuar ndaj shqetësimeve të ngritura.

“Ne jetojmë në Tiranë dhe e kemi shumë të qartë që është një situatë e cila kërkon vëmendje, analizë dhe reflektim të thellë. Duam të kemi një qasje sa më të mirëmenduar dhe të ekuilibruar në raport me kërkesat e tyre”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se kauza kryesore e protestës lidhet me çështje mjedisore, ndërsa shtoi se si ministër ka përgjegjësi për aspektet që lidhen me zhvillimin turistik. Sipas tij, po kryhen analiza dhe verifikime për rëndësinë e projekteve turistike në Zvërnec, si edhe për modelet e ngjashme të zhvillimit në Shqipëri dhe rajon.

Ministri u shpreh se protesta duhet respektuar dhe se ajo është një tregues i funksionimit të demokracisë dhe lirisë së shprehjes në vend.

“Ne e respektojmë protestën. Ajo vjen edhe sepse liria në vend është në një nivel shumë të lartë. Duhet ta ruajmë këtë forcë të demokracisë dhe të dëgjojmë pjesën serioze dhe thelbësore të shqetësimeve që ngrihen”, tha Gonxhja.

Ai vlerësoi gjithashtu faktin që debati publik po fokusohet te mbrojtja e mjedisit dhe biodiversitetit, duke e konsideruar këtë si një shenjë të progresit shoqëror.

“Fakti që sot diskutojmë për flamingot, speciet e mbrojtura dhe ndjeshmërinë mjedisore tregon se shoqëria ka bërë përparim. Për çështjet që janë thelbësore dhe me interes publik, ne po marrim masat për të qenë të përgatitur dhe për t’iu përgjigjur çdo problematike të ngritur”, u shpreh ai.

Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë kur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec vijojnë të intensifikohen, ndërsa organizatorët e protestës kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit qytetar në mbrojtje të zonës së mbrojtur të Nartës dhe lagunës së saj.