...
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të planifikuar në Zvërnec janë pjesë e një “lufte hibride” që, sipas tij, po zhvillohet ndaj Shqipërisë dhe po instrumentalizon shqetësimet mjedisore të qytetarëve.
Duke folur për projektin me vlerë rreth 4 miliardë eurosh, i cili pritet të zhvillohet në një zonë të ndjeshme ekologjike të njohur për praninë e flamengove dhe breshkave të detit, Rama u shpreh se debati publik rreth tij është tejkaluar nga një narrativë e organizuar me prapavijë më të gjerë politike.
Sipas kryeministrit, protestat nuk përbëjnë thelbin e çështjes, por janë “pjesë e një mekanizmi më të gjerë ndikimi”, që shfrytëzon ndjeshmëritë e qytetarëve për çështjet mjedisore.
“Shqipëria është në një luftë hibride. Ne po sulmohemi. E kam parë përmes mediave ose përmes leximeve që ndodhte në vende të tjera, por tani po e shoh në vendin tim”, deklaroi Rama.
I pyetur nga Euronews se nga kush po vjen ky ndikim, ai u përgjigj se bëhet fjalë për “forca të ndryshme” që, sipas tij, kanë nisur këtë proces që në momentet e para të debatit publik për projektin.
Rama shtoi se situata po “armatizohet në shkallë të gjerë”, duke u përdorur nga “armiq të Shqipërisë dhe të Izraelit”, dhe iu referua gjithashtu ekzistencës së një narrative që lidh projektin me pretendime për një marrëveshje të fshehtë që përfshin kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Jared Kushner, me qëllim zhvendosjen e palestinezëve në territorin shqiptar.
“Ka një fantazi të plotë që flet për një marrëveshje të fshehtë… gjë që është krejtësisht e pavërtetë”, u shpreh ai.
Më herët, Rama akuzoi regjimin iranian se po ushqen një fushatë dezinformimi lidhur me projektin e diskutuar për Zvërnecin, duke e lidhur debatin me atë që ai e cilësoi si një luftë hibride kundër Shqipërisë.