...
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë tek “Kthesa e Kamzës”, ku efektivi i policisë, Loren Rama, është sulmuar me thikë gjatë kryerjes së detyrës pranë zonës së “Casa Italia”.
Sipas raportimeve, autori Dorian Kaso i është afruar punonjësit të policisë nga pas, duke i mbajtur një thikë në qafë.
Falë reflekseve të shpejta, efektivi Rama ka arritur të neutralizojë agresorin në kohë.
Në dëshminë e zbardhur që efektivi ka dhënë, ai ka përshkruar momentin kur është sulmuar nga pas:
“Për një moment nuk po e kuptoja se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja fare. Kur e pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart,” ka sqaruar efektivi.
Për momentin nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje të rëndë.
Njoftimi i Policisë
Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.
Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.
Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.