...
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhëniet me homologun e Shqipërisë Edi Rama i ka të mira, por shtoi se nuk pajtohen për të gjitha çështjet, sidomos për qëndrimin ndaj Beogradit zyrtar.
Për mediat në Kosovë, Kurti u pyet nëse ndihet përgjegjës për raportin mes dy vendeve shqiptare. Kurti tha se nuk beson që të ketë gabuar, duke marrë parasysh se qëllimet e tij kanë qenë të mira.
Ai u ndal më pas te mbledhjet e përbashkëta mes qeverive, duke kujtuar se ajo e parashikuar në vitin 2023 u anulua nga Tirana zyrtare.
“Në dy mbledhjet e qeverisë që kemi pasur, 58 marrëveshje janë nënshkruar. Disa janë zbatuar, disa janë në zbatim e sipër. Disa më shpejt e disa më ngadalë. I diskutuam edhe me ministrin Ferit Hoxha se si të ecim më shpejt. Është dashur të ketë mbledhje të përbashkëta të qeverive.
Kemi bërë dy herë mbledhje midis dy Kuvendeve por mbledhjen midis dy qeverive nuk e kam anuluar unë. Ajo u anulua nga Tirana zyrtare në verën e vitit 2023. Sa më herët ti fillojmë mbledhjet aq më mirë. Por nuk janë mbledhjet kryesore, por takimet midis ministrave.
Përgjegjësi? Nuk besoj që kam gabuar, ndërkohë që kam qëllim të mirë. Nuk mund të kem përgjegjësi unë. Marrëdhëniet me Ramën i kemi të mira, por kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për shembull me qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar. Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, tha Kurti.