...
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në mbështetje të investimit në Zvërnec, madje duke akuzuar qeverinë se po largon investitorët e huaj dhe po krijon konflikte artificiale për interesa të ngushta politike dhe ekonomike.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Berisha tha se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, por njëkohësisht mbron të drejtën e pronës dhe zbatimin e ligjit. Sipas tij, përgjegjësia për zgjidhjen e konflikteve të pronësisë i takon shtetit dhe jo investitorit.
Duke iu referuar zhvillimeve në Zvërnec dhe konfliktit në Aeroportin e Vlorës, Berisha akuzoi qeverinë se po përpiqet të largojë investitorët dhe se po injoron vendimet e Gjykatës së Lartë.
“Investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë. Vetëm në fushën e energjetikës 2 miliardë euro, projekti historik i TAP, Kaskada e Devollit, Kaskada e Fanit. Përveç këtyre, nga 2008-2013 investimet e huaja u rritën nga 1.2 në 1.4 miliardë euro.
Çfarë ndodh tani? Partia Demokratike mbështet investimin e huaj dhe ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Po e largoni. Ju më votuat mua, jam njeriu që më keni votuar, e hoqi maskën. Britma për çështje pronësie.
PD qëndron për respektin e plotë dhe absolut të të drejtës së pronës. Cila ka qenë zgjidhja në një kohë kur investoheshin miliarda këtu? E thjeshtë! Nëse ke projekt të miratuar nga qeveria, të firmosur nga institucionet zyrtare, kadastra, agjencitë e tjera dhe shteti të miratonte projektin, askush nuk kishte të bënte më me investitorin.
Çdo qytetar, për çdo padrejtësi apo abuzim, kishte shtetin që do të dëmshpërblente me kushtet e tregut dhe do të ndëshkonte me forcën e ligjit spekulantin. Ky ligj është në fuqi.
Shihni ç’po ndodh me aeroportin e Vlorës. A ka shqiptar që nuk e di se po bëheni copash t’ia merrni aksionet? Absolutisht po, doni t’i merrni aksionet se janë në lojë 110 milionë euro, dhe pasi vendos Gjykata e Lartë del Karakaçi, që e ka emrin Balluku, dhe thotë: Gjeni zgjidhje ose…! Po çfarë është kjo? Zbato mor aty vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ajo që ndodhi me qytetarin që nuk po bënte asgjë. E rrëmbyen, e zvarritën barbarisht, dhe komunikatat e Skënder Ballukut se ishte futur në territor. Doli video se ishte larg telave, e morën e futën brenda telave, atëherë reagoi Skënder Balluku.
Po sa sjellje banditeske keni bërë ju ndaj protestuesve? E tëra kjo ka një rezultat, interesa strikt mafioze. Ju po e largoni dhe po e vishni me gjithë ato ngjyra. Ku ishit ju kur nisi Aeroporti i Vlorës? Është krimi më i shëmtuar, asgjësoi dhjetëra specie të rralla të shpendëve” u shpreh Berisha.
Berisha e paraqiti qëndrimin e tij si një mbështetje për investitorin dhe për sigurinë juridike të investimeve të huaja, duke argumentuar se konfliktet e pronësisë duhet të zgjidhen nga shteti pa cenuar projektet e miratuara dhe pa dekurajuar kapitalin e huaj që investon në Shqipëri.