... Nami.al

Berisha paralajmëron me përjashtim demokratët: Cilido që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD!

Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke theksuar se kjo forcë politike ka potencial të madh për të rikthyer votën e lirë dhe për të fituar opozita.

Ai vlerësoi diskutimet e bëra në Kuvend dhe i konsideron ato shenjë të ripërtëritjes dhe ndryshimit brenda PD-së.

“Që të realizojë objektivin e vet, rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren e opozitës, potencialet janë të mëdha. Vullneti është i hekurt, ndaj unë zotohem para demokratëve dhe opozitarëve se me përkushtim të madh do bëjmë gjithçka të kthejmë në vepra, të konkretizojmë përcaktimet dhe premtimet e këtij Kuvendi, në mënyrë që PD të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj.

Unë ndoqa me shumë interes diskutimet. Jam i inkurajuar prej tyre, mendimet që u shprehën, pra nëse do të lexoni të palexueshmen, atë që kishte atmosfera e sallës, ajo ishte ripërtëritja dhe ndryshimi në drejtime të përcaktuara të PD-së“‘, tha ai.

Berisha falenderoi pjesëmarrësit teksa theksoi se gara mes kandidatëve është dinjitozë dhe se të gjithë mbeten aset i partisë pavarësisht rezultatit, duke garantuar gjithashtu transparencë në numërimin e votave.

“Kështu që ju falënderoj edhe ju për ndjekjen që i bëtë punimeve të këtij Kuvendi, do e quaja unë në shumë aspekte, një Kuvend jashtëzakonisht i rëndësishëm. E vërteta është që me një zhvillim normal, për të mos thënë të përsosur, le të presim rezultatin e votimeve, të cilat, në mos gaboj, do fillojnë nga ora 8 e darkës.

Këtu dua të garantoj, sigurisht, se kur janë për një vend mbi dy kandidatura, njëri fiton, tjetri nuk fiton, por një gjë theksoj, se në vlerësimin tim, ato kanë qenë kandidaturat më dinjitoze që kanë qenë ndonjëherë.

Së dyti, pavarësisht nëse marrin ose jo vota, çdo njëri prej tyre mbetet aset i çmuar i PD-së.

Së treti, çdo njëri që do të ketë dyshimin më të vogël, do të ketë mundësi të numërojë votat e veta“, tha ai.

Në fjalën e tij, kryedemokrati u shpreh se pjesëmarrësit në takimin e bërë nga Ervin Salianji ditën e premte, 29 maj, “nuk janë pjesë e Partisë Demokratike”.

“Ata qe ishin dhe që folën, janë ndarë me kohë nga Partia Demokratike, ose nuk kanë qenë kurrë me Partinë Demokratike.

Asnjë demokrat aty, nuk ishte në mënyrë absolute, që ndjek PD-në”, tha ai.

“Cilido që ndjek Salianjin, i mbyll hesapet me PD-në”, theksoi më tej Berisha

I pyetur nëse e gjitha është kjo është një lloj përjashtimi ndaj kritikëve, Berisha e mohoi një gjë të tillë.