...
Dy vëllezërit nga Kukësi, Shkëlzen dhe Vullnet Daci, rezultojnë krerët realë të organizatës së narkotrafikut që u godit disa ditë më parë nga SPAK dhe Prokuroria e Barit.
Shkëlzeni alias “Tani” dhe Vullneti alias “Ledi”, sipas dosjes hetimore të SPAK, janë drejtuesit e kësaj organizate që kryente trafikun e drogës.
Megjithëse të arrestuar në Itali, gjatë vitit 2020, në operacionin antidrogë të koduar “Shefi”, dy vëllezërit edhe nga burgu nuk kanë ndërprerë aktivitetin kriminal të trafikut të kokainës dhe heroinës.
Vullnet Daci është ndaluar edhe më parë nga policia italiane, pasi ka qëlluar disa herë me armë pistoletë në ambientet e një lokali, që ndodhej në qendrën historike të “Fasano”-s.
Sipas dosjes së SPAK, Shkëlzen dhe Vullnet Daci, nga ambientet e burgut, dirigjonin gjithçka përmes koordinatorit të tyre që ndodhej jashtë burgut, shtetasin Ergys Kastrati me pseudonimin “Shkodra”.
Në dosjen hetimore thuhet se:
“…Shkëlzen Daci e Vullnet Daci, në rolin e krerëve të organizatës, edhe pse me liri personale të kufizuar, drejtonin dhe organizonin vetë organizatën nëpërmjet Ergys Kastratit, i cili drejtonte dhe organizonte materialisht aktivitetin e organizatës, duke kryer edhe ndarjen e të ardhurave dhe asistencën ligjore dhe ekonomike të të arrestuarve…”.
“…Shkëlzen Daci, Vullnet Daci, Ergys Kastrati, Kadri Skenderi, Admir Tahiraj, Ferdinant Saliu, Giuseppe Ruggieri, Luca Sarcina, Michele Tangorra, kanë qenë pjesë përbërëse e një organizate keqbërëse të prirur në trafikun e kokainës, hashashit dhe marijuanës, që kishte si qëllim kryerjen sistematike dhe të qëndrueshme të një serie veprash penale si blerja, tregtimi, dorëzimi, transporti, dhënia me çdo titull, shitja ose, sidoqoftë, mbajtja e paligjshme e substancave narkotike të tipit kokainë, hashash e marijuanë, disponueshmëria e armëve, duke realizuar kështu një strukturë organizative brenda të cilës çdonjëri prej pjesëmarrësve kishte role dhe funksione të ndryshme…”, thuhet në dosjen hetimore të SPAK.
Italiani Giuseppe Ruggieri, si pjesëmarrës me detyrë që të kryente aktivitetet organizative në funksion të Ergys Kastratit, në mbledhjen e fitimeve të paligjshme, në aktivitetin e blerjes, transportit, depozitimit dhe shpërndarjes së substancave narkotike.
Admir Tahiraj, si pjesëmarrës me detyrën për të marrë dhe transportuar nga kanali i furnizimit, që i përbëhej qytetarëve shqiptarë me qëndrim në Teramo, sasi të konsiderueshme të substancës narkotike të tipit kokainë, më pas e destinuar në tregun e Puglia-s dhe atë napolitan.
Kadri Skenderi, si pjesëmarrës me detyra fshehjen dhe dhënien e substancës narkotike.
Ferdinant Saliu, si pjesëmarrës me detyrën e transferimit të fitimeve të trafiqeve të paligjshme të grupit te një broker operativ në Shqipëri dhe me funksione ndërmjetësi mes grupit dhe kamionistëve që kishin si detyrë të bënin transportin e substancës narkotike.
Italiani Luca Sarcina, si pjesëmarrës me detyra fshehjen dhe dhënien e substancave narkotike.