...
Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar që droni, i cili goditi një pallat 10-katësh në qytezën e Galatit në Rumani, pranë kufirit me Moldavinë dhe Ukrainën, të jetë lëshuar nga Rusia.
Agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar kreun e Kremlinit, bëjnë të ditur se droni mund të jetë lëshuar nga Ukraina.
“Askush nuk mund të thotë se kujt i përkiste droni që u rrëzua mbi Rumani, derisa ekspertët të kenë shqyrtuar mbetjet. Mund të ketë qenë një mjet ajror pa pilot ukrainas që devijoi nga trajektorja e tij për shkak të mbrojtjes elektronike ose mungesës së të dhënave”, deklaroi shefi i Kremlinit, i cituar nga RIA Novosti.
Më herët mediat raportuan se një dron i Moskës, i lëshuar gjatë një vale bombardimesh kundër Ukrainës, ra në një zonë të populluar në Rumaninë fqinje.
Droni goditi një pallat 10-katësh në qytezën e Galatit, pranë kufirit me Moldavinë dhe Ukrainën, duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr. Të paktën 2 persona mbetën të plagosur dhe 7 u evakuuan.
Për këtë reagoi ashpër edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se aleanca mbetet e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit dhe se sjellja e papërgjegjshme e Rusisë përbën rrezik për të gjithë.