...
Klement dhe Eldi Çala, dy vëllezërit e shpallur fajtorë për grabitjen e miliarda lekëve në barkun e një avioni në Aeroportin e Rinasit, disa vite më parë, i janë drejtuar zyrtarisht me kërkesë Gjykatës Kushtetuese që të prishë vendimin për dënimin e tyre me 37 vite burg.
Sipas vendimit të vitit 2022, Klement Çala do vuajë dënimin e dhënë me 20 vite burg, ndërsa vëllai, Eldi Çala, do të qëndrojë 17 vite në qeli.
Mirëpo, disa vite pas ngjarjes dhe dënimit të lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, dy vëllezërit kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të prishë vendimin e dënimit, sepse pretendojnë se janë cënuar standardet e një procesi të rregullt ligjor.
Përmes avokatëve mbrojtës, dy vëllezërit kërkojnë që procesi gjyqësor për ta të fillojë nga e para.
Pjesëtarët e tjerë të grupit që mori pjesë në mega-grabitjen e aeroportit të Rinasit, janë Oltian Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe i penduari i drejtësisë Alkond Begasi. Akuza ndaj Talo Çelës për këtë rast është veçuar, pasi ai është ende në kërkim.
Dënimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe të lëna në fuqi nga Apeli i Posaçëm e Gjykata e Lartë:
– Klement Çala, 20 vjet burg
– Eldi Çala, 17 vite burg
– Oltian Veseli, 17 vite burg
– Renaldo Sula, 17 vite burg
– Saimir Çela, 17 vite burg
– Elton Pikli, 17 vjet burg
– Alkond Bengasi, i penduar i drejtësisë 17 vite burg
Në këtë ngjarje kanë qenë të dyshuar si të përfshirë dhe dy persona të tjerë, Admir Murataj i cilësuar si “koka e grupit”. Por ai vdiq gjatë ndjekjes së grabitësve nga Policia, pasi pati shkëmbim zjarri dhe në këtë rast akuza ndaj tij nuk u ngrit.
Po ashtu, i përfshirë ka qenë dhe një shqiptar i Kosovës, Ragip Hajdini. Ky i fundit njihej me nofkën “Daja” dhe u arrestua gjatë një operacioni te “Shkëmbi i Kavajës”. 50 vjeçari ishte i sëmurë dhe pas 4 ditësh në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërroi jetë. Akuza ndaj tij u pushua.
Grabitja ndodhi në aeroportin e Rinasit, mesditën e 9 prillit 2019. Një makinë pa targa mbi të cilën shkruhej “Hetimi Tatimor” vodhi 4.6 milionë euro që do të transportoheshin drejt Vienës. Pasi kryen grabitjen, autorët u larguan me shpejtësi nga dera e pasme e aeroportit.