...
Vendimi i Pentagonit për të anuluar dislokimin e planifikuar të një brigade të blinduar amerikane në Poloni ka shtuar pasiguritë mbi të ardhmen e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë.
Lëvizja, e cila prek më shumë se 4 mijë trupa dhe pajisje të rënda ushtarake, erdhi vetëm pak ditë pasi administrata e presidentit Donald Trump njoftoi reduktimin e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania.
Këtë zhvillim, shumë analistë e kanë interpretuar si pjesë të një rishikimi më të gjerë të gjurmës ushtarake amerikane në kontinent.
Në këtë klimë pasigurie, një pyetje nisi të qarkullojë edhe në Ballkanin Perëndimor: a mund të preket edhe Kosova?
Për momentin, sinjali zyrtar nga Washington-i është negativ.
Në një komunikim me Albanian Post, Pentagoni konfirmoi se aktualisht nuk ka ndryshime të planifikuara për praninë ushtarake amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Nuk kemi ndryshime në pozicionin e forcave për të njoftuar në lidhje me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Mbrojtjes amerikane.
Formulimi është i shkurtër dhe i kujdesshëm diplomatikisht, por në thelb dërgon një sinjal të qartë: ndryshe nga Gjermania apo Polonia, Kosova nuk duket të jetë pjesë e fazës aktuale të rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Për njerëzit e sigurisë në Kosovë, një formulim i tillë nuk lexohet si një përgjigje rutinë burokratike.
Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, thotë se pesha e pranisë amerikane në Kosovë nuk mund të kuptohet vetëm përmes statistikave apo numrit të trupave.
“Në rastin tonë, prania ushtarake amerikane është jetike; është çështje ekzistence, lirie dhe e vetë shtetit tonë”, thotë ai për Albanian Post, duke argumentuar se ndikimi amerikan në Kosovë ka qenë historikisht shumë më i madh sesa dimensioni i thjeshtë ushtarak.
Për Veselin, çdo diskutim mbi një reduktim të mundshëm të rolit amerikan në rajon nuk mund të shihet i ndarë nga historia e sigurisë së Kosovës.
“Kudo që ka prani ushtarake amerikane, ai shtet dhe ai rajon janë më të sigurt”, argumenton ai.
Sipas raportimeve të konfirmuara nga mediat amerikane dhe evropiane, Pentagoni anuloi papritur dërgimin në Poloni të Brigadës së Dytë të Blinduar Luftarake të Divizionit të Parë të Kalorësisë – një mision në të cilin disa pjesë të personelit dhe pajisjeve kishin nisur tashmë lëvizjen drejt Evropës.
Vendimi kapi në befasi edhe disa zyrtarë ushtarakë amerikanë, ndërsa NATO u detyrua të qetësojë aleatët duke deklaruar se ndryshimet në forcat rotacionale amerikane nuk ndikojnë planet e aleancës për parandalim dhe mbrojtje.
Paralelisht, administrata Trump ka bërë të ditur se rreth 5 mijë trupa amerikane do të largohen nga Gjermania brenda muajve të ardhshëm, duke e afruar praninë amerikane në Evropë me nivelet që ekzistonin përpara pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Për shumë kryeqytete evropiane, mesazhi është i qartë: Washington-i po rishikon seriozisht shpërndarjen globale të forcave të veta ushtarake.
Në sfond qëndron një ndryshim më i gjerë strategjik i administratës Trump, e cila ka argumentuar prej kohësh se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, ndërsa SHBA duhet të zhvendosë fokusin drejt Indo-Paqësorit, rivalitetit me Kinën dhe krizave në Lindjen e Mesme.
Në pamje të parë, Kosova mund të mos duket si prioriteti më i madh strategjik për Washington-in në një epokë të tillë.
Megjithatë, pikërisht këtu fillon paradoksi.
Sepse ndërsa SHBA redukton praninë në pjesë të tjera të Evropës, Kosova mbetet një nga vendet ku simbolika politike e pranisë amerikane shpesh peshon më shumë sesa vetë numri i trupave.
Kampi Bondsteel, pranë Ferizajt, mbetet një nga asetet më të rëndësishme amerikane në Ballkanin Perëndimor.
E ndërtuar pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, baza shërben si qendra kryesore amerikane e operacioneve në Kosovë dhe një nyje logjistike kyçe për praninë e NATO-s në rajon.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin gjithashtu Komandën Rajonale Lindore brenda strukturës së KFOR-it, duke i dhënë pranisë amerikane një rol shumë më të madh sesa vetë numri i trupave mund të sugjerojë.
Sipas të dhënave të Council on Foreign Relations, rreth 690 trupa amerikane ndodhen aktualisht në Kosovë si pjesë e KFOR-it – një numër relativisht modest krahasuar me kontingjentet amerikane në Gjermani, Itali apo Poloni, por me peshë disproporcionale politike dhe strategjike për stabilitetin rajonal.
Për Veselin, kjo është pikërisht arsyeja pse prania amerikane në Kosovë nuk mund të shihet si një statistikë e zakonshme ushtarake.
“Ushtari amerikan mbron misionin dhe lirinë e Kosovës sikur të ishte duke mbrojtur vetë Amerikën”, argumenton ai, duke shtuar se roli amerikan në Kosovë ka një efekt parandalues që shkon shumë përtej dimensionit simbolik.