...
Të paktën katër persona u vranë, përfshirë tre në rajonin e Moskës, pasi Ukraina ndërmori sulmin më të madh me dronë gjatë natës ndaj kryeqytetit rus në më shumë se një vit, thanë zyrtarët lokalë të dielën.
Një person i katërt u vra në rajonin e Belgorodit, që kufizohet me verilindjen e Ukrainës, thanë autoritetet lokale, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se deri në mesditë më shumë se 1,000 dronë ukrainas ishin rrëzuar mbi territorin rus gjatë 24 orëve të fundit.
Presidenti ukrainas Zelensky kishte premtuar hakmarrje të premten pas sulmit më të rëndë me dronë dhe raketa të Rusisë ndaj Kievit gjatë një periudhe dyditore që nga fillimi i luftës më shumë se katër vite më parë.
Duke konfirmuar sulmin, Zelensky publikoi një video në X ku shfaqej një dron në fluturim, kolona tymi të zi dhe ekipe zjarrfikësish që përpiqeshin të shuanin flakët.
“Përgjigjet tona ndaj zgjatjes së luftës nga Rusia dhe sulmeve të saj ndaj qyteteve dhe komuniteteve tona janë plotësisht të justifikuara,” tha Zelenskiy.
Ai shtoi se Ukraina ishte në gjendje të godiste objektiva më shumë se 500 kilometra larg kufirit, pavarësisht mbrojtjes së dendur ajrore ruse rreth Moskës.
“Po u themi qartë rusëve: shteti i tyre duhet t’i japë fund luftës,” tha ai.
Ministria e Jashtme ruse akuzoi Kievin për shënjestrim të civilëve.
Të dyja palët në konflikt mohojnë se synojnë qëllimisht civilët, shkruan Reuters.