... Nami.al

Rrëfimi i ambasadorit shqiptar që sfidon Britaninë për emigracionin

Një rrëfim personal që fillon si anekdotë shoqërore dhe përfundon si kritikë politike ndaj sistemit britanik të emigracionit.

Kështu mund të përmblidhet shkrimi i ambasadorit shqiptar në Londër, Uran Ferizi, i botuar në The Spectator.

Në një narrativë që lëviz mes kujtimeve personale dhe reflektimit diplomatik, Ferizi ndërton një histori të pazakontë për një ambasador: nga emigrimi i paligjshëm si adoleshent shqiptar, te studimet në Oxford dhe më pas karriera diplomatike në Mbretërinë e Bashkuar.

Pika e nisjes është një episod i thjeshtë në një darkë zyrtare, ku një aristokrate britanike e pyet për përshtypjet mbi Britaninë. Përgjigjja e tij – “e dua që kur mbërrita si klandestin” – shndërrohet në një moment reflektimi të papritur, që, sipas tij, nuk e mbyll bisedën, por përkundrazi e hap atë.

Nga aty, ambasadori rrëfen rrugëtimin e tij, kalimin e kufijve, punën në restorant dhe supermarket, e më pas pranimin në Universitetin e Oxford-it.

Një histori që ai e përdor si bazë për një pyetje më të gjerë: A e vlerëson ende Britania sot një histori të tillë integrimi dhe transformimi?

Në shkrim, Ferizi e vendos historinë personale në një kontekst më të gjerë historik dhe kulturor shqiptar, duke kujtuar izolimin e komunizmit, eksodin pas viteve ’90 dhe traditën e mikpritjes shqiptare, përfshirë edhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por theksi i fortë i opinionit zhvendoset drejt politikave britanike të emigracionit. Ai kritikon mënyrën si shqiptarët janë përdorur në diskursin publik si simbol negativ politik, si dhe sistemin e vizave, që sipas tij krijon barriera të kushtueshme dhe të panevojshme, duke shtyrë disa emigrantë drejt rrugëve ilegale.

Në një pjesë më të drejtpërdrejtë, ambasadori lidh këtë qasje me pasojat sociale në terren, duke përmendur rastet e shqiptarëve në burgje britanike dhe rolin e trafikantëve që shfrytëzojnë boshllëqet e sistemit.

Megjithatë, shkrimi nuk është një refuzim i Britanisë. Përkundrazi, Ferizi e mbyll me një ton të qartë nostalgjik dhe mbrojtës ndaj vendit që, sipas tij, i ka dhënë formë identitetit të tij personal dhe profesional.

Britania që ai përshkruan është ajo e drejtësisë, e kulturës dhe e mundësive – një vend që “ia vlen të mbrohet, ndoshta edhe nga vetja e saj”.

Teksti i plotë i shkrimit të ambasadorit Uran Ferizi në The Spectator

Para disa ditëve, gjatë një darkë zyrtare, një zonjë aristokrate angleze më pyeti se çfarë përshtypjeje më kishte lënë Britania. I thashë se e doja që nga çasti kur mbërrita nga Shqipëria, në moshën 17-vjeçare. Mora frymë thellë dhe, si mistrec, shtova: “Si klandestin.” Prisja që ky koment të shënonte fundin e bisedës. Por sytë e saj u ndezën. “Fantastike! Vëllai im u largua nga Anglia për në Kanada 45 vjet më parë. Edhe ai si klandestin. Çfarë aventure!”

Në Britani unë erdha nga Belgjika, i fshehur në një kamion — pasi kisha ikur nga Shqipëria me skaf për Itali. Katër vitet e para punova në një restorant dhe në një supermarket, përpara se, krejt papritur, të pranohesha në Universitetin e Oksfordit për të studiuar matematikë. Isha ai i huaji që mësoi gjuhën, ra në dashuri me kulturën britanike, punoi dhe pagoi taksat.

Tani pyes veten nëse Britania vazhdon të vlerësojë ende një histori si kjo e imja.

Si ambasador i Shqipërisë, nuk është normale të flas kaq haptazi. Por vërej se ambasadorët britanikë në Tiranë flasin lirshëm për mangësitë e Shqipërisë dhe nevojën për reforma, dhe prononcohen me qetësinë e dikujt që prej kohësh nuk i ka lexuar lajmet nga vendi i tij. Zëre se me këtë letër po ua shlyej një borxh të vogël.

Ne jemi një popull i lashtë, me vlera tona krenare dhe të forta. Lord Bajroni shkroi për mikpritjen shqiptare në “Udhëtimin e Çajld Haroldit”, vepër të cilën e kam lexuar në shkollë. Më vonë, Shqipëria vuajti diktaturën komuniste më brutale në Europë. Shtypja ishte aq e plotë dhe aq paranojake, sa arriti të na izolonte edhe brenda vetë Bllokut Lindor. Varfëria dhe kaosi ishin real. Po aq real ishte edhe eksodi masiv që pasoi. Unë isha pjesë e tij.

Ajo që ndodhi më pas është një histori që rrallë tregohet në Britani. Që nga rënia e atij komunizmi tiranik, ky vend me më pak se tre milionë banorë është rindërtuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Turistët britanikë që vizitojnë Shqipërinë shpesh habiten: jo vetëm nga bukuria e plazheve, por edhe nga ngrohtësia e njerëzve dhe ndjesia se në atë vend po ndodh diçka interesante.

Ekziston edhe një kapitull i historisë sonë që në ditët e sotme merr një rëndësi të veçantë. Gjatë pushtimit nazist, familjet shqiptare strehuan çdo refugjat hebre që kërkoi ndihmë. Asnjëri prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Si rast unik në Europën e pushtuar, popullsia hebreje në Shqipëri ishte më e madhe pas luftës sesa para saj. Besa dhe mikpritja janë për shqiptarët siç është drejtësia për britanikët: një tipar thelbësor kombëtar. Kur flasim për rreziqet e përçmimit të një komuniteti përmes karikaturave dhe stereotipeve, ia vlen të kujtojmë se cilat kombe u treguan fisnikë kur rreziku matej me jetë.

Kjo na çon te Britania – një vend me një inteligjencë morale instinktive që e kam admiruar dhe dashur sinqerisht. Sot, kur flitet për imigracionin, ka politikanë britanikë të cilët fjalën “shqiptar” e kthejnë në një instrument retorike. Disa nga ata e shohin fyerjen e shqiptarëve si më të leverdisshme sesa diskutimin për shëndetësinë apo arsimin. Dhe dëmi nuk bie vetëm mbi shqiptarët – të cilët dinë si t’u bëjnë ballë vështirësive – por mbi vetë imazhin e Britanisë dhe mbi çdo pakicë etnike që sheh se si kufijtë e retorikës së tolerueshme po zbehen gjithnjë e më shumë.

Kjo retorikë duket se ndikon edhe në politikat shtetërore. Sistemi i vizave për shqiptarët kushton qindra sterlina, kërkon vizita në një zyrë në periferi të Tiranës, një formular kompleks dhe, nëse ke fat, të jep një vizë gjashtëmujore. Për krahasim, Italia dhe Gjermania kanë krijuar mekanizma funksionalë të lëvizjes së ligjshme. Në këto vende shqiptarët nuk stigmatizohen më. Ata njihen për çfarë janë në të vërtetë: taksapagues të palodhur.

Në anën tjetër, ata shqiptarë që përjashtohen nga rrugët ligjore bien pre e trafikantëve, të cilët u thonë të mos humbasin kohë me viza. Disa përfundojnë në ferma kanabisi e më pas në burg.
I kam vizituar disa prej tyre. Në burgun Wormwood Scrubs të Londrës, stafi më tha se shqiptarët janë ndër të burgosurit më të sjellshëm. Shumica e tyre janë djem në të njëzetat dhe ndodhen aty kryesisht për substanca narkotike. Kishin turp, por jo zemërim. Pothuajse asnjëri nuk kishte ardhur me vizë në Britani. Të gjithë kishin marrë hua për të paguar trafikantët.

Politikat që prodhojnë titujt sensacionalë të gazetave, prodhojnë edhe të burgosurit. Kjo është një politikë që krijon vetë problemin të cilin pretendon se po zgjidh. Ajo nuk i ndalon shqiptarët të vijnë në Britani; thjesht siguron që ta bëjnë në mënyrë të paligjshme.

Shqiptarët në Britani ndërtojnë shtëpi, riparojnë kaldaja, ushtrojnë profesionin e mjekut. Pagujnë taksa. Fëmijët e tyre flasin anglisht në shtëpi. Ata janë pikërisht emigrantët që politikanët thonë se duan. Por janë po këta politikanë të cilët ndërtojnë një sistem që e bën rrugën e tyre për në Britani thuajse të pamundur.

Britania më bëri këtë që jam. Oksfordi po ashtu. Kate Bush, Monty Python dhe besimi i thellë se gjërat duhet të jenë të drejta – të gjitha këto më formësuan. Unë ende besoj te Britania që dikur i dha një adoleshenti, i cili lante pjata në një restorant, ndjesinë e të qenit në shtëpinë e tij. Britania ku, ndoshta në mënyrë unike në botë, fjalët e para të një fëmije janë: “Kjo nuk është e drejtë.” Ajo Britani ia vlen të mbrohet. Ndoshta edhe nga vetja e saj.