...
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se një sulm me dron ka shkaktuar zjarr pranë centralit bërthamor Barakah në Abu Dhabi, në një incident që autoritetet e kanë cilësuar si “përshkallëzim të rrezikshëm” të tensioneve në rajon.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, tre dronë hynë në hapësirën ajrore të vendit nga “drejtimi i kufirit perëndimor”. Dy prej tyre u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa droni i tretë goditi një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të centralit Barakah, duke shkaktuar zjarr.
Autoritetet konfirmuan se nuk ka persona të lënduar dhe se niveli i sigurisë radiologjike në central nuk është prekur. Gjithashtu u bë e ditur se centrali vazhdon funksionimin normal, ndërsa masat paraprake të sigurisë janë forcuar.
Ministria e Jashtme e Emirateve e dënoi incidentin si një “akt të papranueshëm agresioni”, duke theksuar se shënjestrimi i objekteve civile të energjisë bërthamore përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve humanitare.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) deklaroi se po monitoron nga afër situatën. Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, shprehu “shqetësim të madh” për incidentin dhe kërkoi “vetëpërmbajtje maksimale ushtarake”.
Autoritetet emiratase nuk kanë identifikuar ende zyrtarisht origjinën e sulmit, por incidenti vjen në një klimë të tensionuar rajonale pas konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili shpërtheu në fund të shkurtit.
Emiratet kanë akuzuar më herët Iranin për sulme ndaj infrastrukturës energjetike dhe ekonomike në Gjirin Persik, ndërsa Teherani ka pretenduar se vendet aleate të SHBA-ve në rajon kanë lejuar përdorimin e territorit të tyre për operacione ushtarake kundër Iranit.
Pavarësisht armëpushimit të arritur në prill mes SHBA-ve dhe Iranit, shkëmbimet sporadike të sulmeve në rajon kanë vazhduar. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se armëpushimi ndodhet në “mbështetje jetike”, ndërsa tensionet për Ngushticën e Hormuzit dhe sigurinë rajonale mbeten të larta.