... Nami.al

Sot Kuvend/ Në rend dite interpelanca me Ramën dhe ministrat, debat për raportin e DASH dhe integrimin në BE

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, ndërsa në rendin e ditës janë përfshirë disa çështje që pritet të shoqërohen me debate politike dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Në fokus të seancës do të jenë interpelancat me kryeministrin Edi Rama dhe katër ministra të qeverisë, si edhe mocioni me debat për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri.

Seanca, e cila nis në orën 10:00, do të hapet me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe me njoftimet procedurale, për t’i lënë më pas vend diskutimeve politike.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës është mocioni me debat për problematikat e evidentuara në raportin vjetor të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, si edhe për gjetjet e progresraportit të Komisionit Europian. Debati pritet të përqendrohet te ekonomia, korrupsioni, klima e biznesit dhe standardet e kërkuara në procesin e integrimit europian.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu edhe projekt-rezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Në seancën e sotme janë parashikuar edhe disa interpelanca me anëtarë të qeverisë. Kryeministri Edi Rama do të përballet me interpelancë të kërkuar nga deputeti Tritan Shehu.

Po ashtu, interpelanca do të zhvillohen edhe me:

Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri;
Ministrin e Financave, Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Enno Bozdo;
Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kërkuar nga deputeti Erion Braçe;
Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Erion Braçe, si edhe nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.