... Nami.al

Jo vetëm Durim Bami, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin transferohet dhe Lulzim Berisha

Lulzim Berisha dhe Durim Bami, dy të paraburgosur, njëri në Durrës dhe tjetri në Fushë Krujë, që nga kjo e mërkurë janë transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.

Sipas burimeve, lëvizja e tyre është kryer për arsye sigurie, pas informacioneve konfidenciale se të paraburgosurit mund të kishin akses ose të përdornin telefona celularë dhe sende të tjera të ndaluara brenda qelive.

Për këtë arsye, me urdhër të drejtuesve të burgjeve, është vendosur transferimi i tyre në një institucion me masa më të forta sigurie, ku kontrolli dhe mbikëqyrja janë më të rrepta.

Transferimi i Lulzim Berishës vjen pak ditë pas publikimit të një videoskandali që i përket muajit janar, ku një grup të burgosurish, përfshirë vetë Berishën, festonin brenda qelisë në paraburgimin e Durrësit.

Fillimisht u raportua për transferimin e Durim Bamit në Peqin, ndërsa më pas u mor vesh se në të njëjtin burg është dërguar edhe Lulzim Berisha.