... Nami.al

“Dua 200 mijë euro” – Ilir Meta reagon nga burgu: Ja e vërteta e SMS-së për Kastriot Ismailiajn

Ilir Meta ka bërë një reagim zyrtar nga qelia, për lajmin që u raportua nga salla e gjyqit, kur prokurori Sotir Kllapi deklaroi se SPAK kishte administruar një mesazh mes Metës dhe Ismailaj, ku flitej për 200.000 euro.

Ai ka marrë indicie edhe nga një deklaratë e gazetarit Enton Abilekaj, për këtë mesazh, Ilir Meta thotë se pa u thelluar si në aspektin ligjor apo procedurial se çfarë konsiderohet provë, se si merret, administrohet apo përdoret ajo, siguron se “eurot” ekzistojnë vetëm në dëshirën dhe imagjinatën e prokurorëve, siç ai dhe avokati e kanë provuar edhe gjatë gjykimit në seancën paraprake.

“Është e qartë se edhe në fabrikimin e një “sms” të tillë të pretenduar, nuk ka as euro, as dollarë, as lekë dhe as fletëpalosje, apo postera, meqënëse mesazhi i pretenduar koinçidon me Qershorin 2009 para zgjedhjeve parlamentare kur unë kam qenë thjesht një deputet opozitar dhe pa asnjë funksion qeveritar. Po kështu, çuditërisht nga pala marrëse e kësaj “sms” nuk ka asnjë përgjigje apo reagim (!!!) Ndërkohë që nuk ka asnjë garanci se kjo “sms” është dërguar nga unë”, thotë ai.

Ilir Meta zbulon për herë të parë se në gjyqin ndaj tij, si dëshmitar është edhe gazetari i njohur Baton Haxhiu, për të cilin presidenti sqaron se ëhstë përfshirë në hetime nga SPAK dhe jo nga ai personalisht.

“Jo vetëm kaq, por Z. Baton Haxhiu është bërë pjesë e hetimeve ndaj meje, jo nga unë, por nga SPAK-u dhe do kem fatin të çmallem me të në sallën e gjykimit. E siguroj Z. Baton Haxhiu se cilësia e hetimeve është edhe më e rëndë se cilësia e zbardhjes së dëshmisë së tij të publikuar nga SPAK-u dhe jo nga unë”, zbulon ai.

Kreu i Partisë së Lirisë thekson se DIA është regjistruar në Shqipëri 14 muaj pas kësaj “sms”-je të fabrikuar, ndërsa marrëveshjen me CEZ-in e ka lidhur 15 muaj pas kësaj “sms”, ndërsa pagesat e para nga CEZ-I i ka marrë 17 muaj pas kësaj “sms”.

“Kjo lloj “sms” është bërë lajm që para 15 vitesh dhe e kanë marrë seriozisht vetëm ata që u ka “pëlqyer” për lojë politike. Ndoshta prokurorët më ngatërrojnë me Edi Ramën që shpall me firmën e tij fituese kompani që lindin vetëm 8 muaj më pas dhe dëmtojnë rëndë financat publike”, vijon më tej Ilir Meta.