...
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ishte këtë të diel në Asamblenë e Partisë Socialiste në Elbasan.
Ai u ndal fillimisht tek procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, duke u shprehur se nuk duhet humbur motivimi për të ecur përpara.
“PS, familja jonë politike duhet të përballet pa e humbur kthjelltësinë dhe pa humbur për asnjë moment motivimin për të shkuar çdo ditë e më shpejt përpara me një tërësi forcash dhe faktorësh që janë tërësisht kundër nesh.
Forcat e faktorët politikë, mediatikë, socialë në sensin e pranisë në rrjete sociale që prodhojnë dhe shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe që janë gënjeshtrat më të mëdha, lajme të cilat edhe kur nuk janë të pavërteta janë vendosur në një proporcion të zhdrejtë me realitetin“, u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi edhe kritikat që, sipas tij, ka marrë për kërkesën e një mandati të fortë qeverisës. Sipas tij, nëse opozita do të kishte më shumë mandate, procesi i integrimit mund të ishte bllokuar.
“U lemeris dynjaja se na ishin bllokuar negociatat. Njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes anëtarësimin. Kur thoja na duhet një mandat i fortë më thonin ky do të bëhet si Putini. Por ne kemi kaluar një paketë ligjesh që ishin vetëm për integrimin.
Nga 27 ligje, 7 ishin me 84 vota. Imagjinoni sikur ne të kishim 75 e të tjerat t’i kishin molotovarët? Atëherë do të na ishte bllokuar procesi dhe parlamenti me buzëqeshje. Ne do të ishim në një situatë duke ardhur vërdallë duke ndjekur bishtin tonë. Ndaj duhet t’u puthim duart për ata që na besuan që të realizojmë negociatat jo për karriget”, tha ai.
Lidhur me dinamikat e brendshme të kampit rozë, Rama ndau një situatë me një socialist, i cili duket se vendosi në pikëpyetje kontributin e tij në këtë forcë politike, për shkak se nuk fitoi një konkurs për drejtues të administratës publike.
“Kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë shumë më tepër për çështjet e mëdha politike dhe shoqërore, ndërkohë që ne duhet të flasim me të gjithë pse duhet të jenë krenarë pse janë pjesë e kësaj familjeje politike. Përtej situatave personale, se jo të gjithë kanë situata pozitive, përtej kësaj… bëra debat me një socialist të mirë të një qarku tjetër në telefon, se ishte i zhgënjyer se nuk kishte fituar dot një konkurs, konkursin për pozicione të drejtuesve të administratës publike dhe faktikisht ishin 11 vende të lira dhe konkursi fitoi me 9 fitues. Nuk ishte konkurs formal se po të ishte do ishte me 11 fitues. Bëhet fjalë për të zgjedhur një numër drejtuesish shtesë që në një mënyrë apo tjetër do jenë pjesë e procesit të negociatave. Ai është një socialist i mirë që ka dhënë kontribut dhe më thoshte jam socialist i zhgënjyer. Por nuk mundem më të dal para njerëzve se nuk u gjet mundësia për mua. I thashë po mirë çfarë prisje që unë të ndërhyja e të merrje pa meritë një vend që ngeli bosh? Nëse prisje këtë s’ke kuptuar asgjë nga ato çka kam thënë. Pse nuk ke fytyrë ti të dalësh para të tjerëve kur ke aq shumë për të treguar për PS?”, tha ai.
Kryesocialisti u ndal dhe tek një çështje tjetër, skemës së re në mbështetje të fermerëve, atë të kompensimit të TVSH-së me 10%.
Ai u shpreh se fermerët që dorëzojnë faturat do të përfitojnë kthimin e 10% të vlerës së shitjeve, ndërsa vlera totale e përfitimeve nga kjo skemë pritet të arrijë nga 40 deri në 55 milionë euro.
Rama theksoi se kjo politikë synon jo vetëm rritjen e mbështetjes financiare për fermerët, por edhe formalizimin e ekonomisë bujqësore, si një hap i domosdoshëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Me siguri keni parë lajme, keni parë kronika, kemi dëgjuar copëza fjalimesh nëpër ato portalet që postohen me video, që si u lanë në rrugë fermerët se u pre subvencioni i naftës? Si bujqësia ka marrë fund”. Këto i keni parë, ndërkohë që e vërteta dhe e vërteta që dinë njerëzit në fshat, ata që votojnë, nuk është ajo që thonë ato pasqyra, por ajo që ata prekin. Se nuk është aspak e vështirë që në atë 30% që nuk na voton ne në një fshat x, ku marrim 70%, të gjesh 3 veta që thonë gjithçka të zezë. Por ama e vërteta është që ne, dhe këtë e dinë ata fermerë, kemi hequr subvencionin e naftës që ishte një shumë prej 18 milionë eurosh dhe kemi vendosur një gjë tjetër. Të gjithë ata që do shesin me faturë dhe do dorëzojnë faturat do marrin mbrapsht 10% të vlerës së faturave, që në totalin e vet parashikojmë të jenë nga 40-55 milionë euro. Janë të ardhura që i shkojnë buxhetit dhe shtetit dhe një hap i madh i formalizimit të një pjese të ekonomisë, që nuk mund të hyjë në BE“, sqaroi Rama.